Për ndarjen nga jeta të imzot Rrok Mirditës kanë reaguar edhe krerët më të lartë të politikës në vend. Kryeministri Edi Rama, duke postuar një foto të arkipeshkvit Mirdita në rrjetin social Facebook, e shoqëron atë me një lamtumirë prekëse, ku e cilëson drejtuesin e Kishës Katolike në Shqipëri si “mikun e të gjithëve”.
Sërish në rrjetet sociale ka reaguar edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili shprehet i pikëlluar dhe i hidhëruar për mësimin e lajmit të ndarjes nga jeta të monsinjor Rrok Mirditës.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Monsinjor Rrok Mirditës. Monsinjor Mirdita do të mbahet mend për përkushtimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal, që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamitë. Kam pasur privilegjin të takohem shpesh me të dhe nuk i harroj kurrë shqetësimet dhe lutjet e tij për të varfërit, të pamundurit, kërkesat e tij të vazhdueshme për drejtësi shoqërore. Monsinjor Mirdita, i shuguruar Ipeshkv në vizitën apostolike në Shqipëri të Papa Gjon Palit II në vitin 1993, jam i bindur se po shkon i qetë në shtëpinë e Atit të tij, pas një jete të tërë në shërbim të Zotit, besimtarëve dhe popullit të tij”.
Top Channel