Frroku, prokuroria mbyll hetimet; 4 akuza ndaj deputetit

07/12/2015 11:00

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur 4 akuza ndaj deputetit Mark Frroku, i cili aktualisht po vuan masën e sigurisë “arrest me burg”.

Lajmi bëhet i ditur në një njoftim për shtyp të organit qendror të akuzës në të cilin thuhet se Frroku akuzohet për: vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim; fshehje të pasurisë; pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndërtim të paligjshëm.

Sipas njoftimit, akuza e parë, ajo e vrasjes, i atribuohet deputetit për një ngjarje të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, ku pas një përleshjeje humbi jetën shtetasi Aleksandër Kurti. Rezulton që Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij ta kenë vrarë Kurtin për shkak të përplasjeve për kontrollin e prostitucionit.

Akuza e dytë, vijon njoftimi, është ngritur pasi deputeti nuk është në gjendje të justifikojë pasurinë e tij prej më shumë se 2 milionë dollarë.

E treta ka të bëjë me një akumulim të pajustifikuar të të ardhurave nga ana e deputetit, i cili në vitin 2002 është dënuar nga autoritetet holandeze me 3 vjet burg për trafik droge.

Konkretisht ka rezultuar se nga viti 1998 deri në 2007, Frroku ka krijuar një pasuri prej 73 milionë lekë, ndërkohë që deri në vitin 2013 kur ka marrë mandatin e deputetit, pasuria e tij arrinte në mbi 209 milionë lekë, të siguruara nga burime të panjohura.

Ndërsa akuza e katërt ka të bëjë me një ndërtim të Frrokut në rrugën e Durrësit, në kryeqytet. Bëhet fjalë për një godinë 4-katëshe, të cilës po i shtohej një kat dhe një shtesë anësore.

Nga hetimet ka rezultuar se, Frroku ka blerë disa prona të paluajtshme si truall, apartamente, njësi biznesi dhe garazhe nga shtetasi Tom Doshi, përmes një shume parash që arrijnë në 740 milionë lekë të reja. Në një nga këto hapësira ndodhej godina 4-katëshe ku deputeti po ndërtonte shtesat.

Top Channel