Ekspertët e nivelit të lartë, në Venecia; Traja: Të parët e sjellim ne opinionin

07/12/2015 00:00

Është përmbyllur një prej fazave më të rëndësishme të reformës në drejtësi, ajo e procesit të konsultimeve publike mbi projektamendamentet kushtetuese.

Kristaq Traja, njëri prej ekspertëve thotë se, “gjatë kësaj periudhe u organizuan 19 tryeza, me qëllim informimin dhe marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve lidhur me amendamentet e propozuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë”.

“Patjetër që do ta dëgjojmë zërin e konsultave, sepse ne që merremi me këtë punë, pra ekspertë të një profesioni, nuk duam të biem në kurthin e mendimeve tona. Ne duam ngacmime, sepse kjo punë nuk bëhet për ne që jemi këtu, bëhet shumë e shumë më gjerë sesa për ne. Jemi shumë të hapur, por të kemi parasysh se, midis profesionalizmit dhe dëshirave ka një hendek dhe, taktika sesi mendimet dhe aspiratat pasqyrohen është njëra anë. Ana tjetër, që është më e rëndësishmja, po, po dhe po: do t’i marrim parasysh propozimet. Flas në emër të grupit të ekspertëve, unë nuk jam i rekomanduar, as nuk kam dëshirën të flas përtej pozicionit tonë prej ekspertësh. Politika është diçka tjetër”, tha eksperti Traja.

Zoti Traja u pyet se, kur mund ta japë opinionin Komisioni i Venecias.

“Unë mund të them se, në datat 17, 18 dhe 19, një grup përfaqësues i komisionit të ekspertëve të nivelit të lartë do të shkojë në Venecia, për konsultime paraprake në vazhdimësi. Të jeni të bindur për një gjë. Fjalët e para nga Komisioni i Venecias do t’i dëgjoni nga grupi i ekspertëve, jo nga politikanët”, tha Kristaq Traja.

Në këto tryeza morën pjesë rreth 1300 pjesëmarrës nga radhët e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve, përmbaruesve, pedagogëve dhe studentëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe studentëve në Shkollën e Magjistraturës, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të Presidentit të Republikës.

Top Channel