Pas refuzimit, Mustafa: Zgjidhja e vetme është përmes dialogut

05/12/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa këmbëngul se dialogu është e vetmja zgjidhje, përkundër refuzimit të opozitës së bashkuar një ditë më parë, gjatë së premtes.

Pas një vizite që bëri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mustafa tha se, pa marrë parasysh përgjigjen, ekziston arsyeja që të ulemi, sepse – siç tha ai, – flasim një gjuhë, kemi një interes, një ide, dhe një vend, për të cilin ne të gjithë duhet të bashkë punojmë.

Megjithatë, ai shtoi se zgjidhja, sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe gjendet në Kushtetutën e Kosovës dhe për këtë do të vendosë Gjykata Kushtetuese.

“Ne do të pranojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një gjë të tillë duhet ta pranojë edhe opozita. Tjetër gjykatë nuk mundemi ta krijojmë, as ne nuk mund të bëhemi gjykatës; as unë si kryeministër, as ndonjëri prej shefave të opozitës nuk mund ta kemi luksin të themi, jo në dorë të Gjykatës Kushtetuese, sepse jemi ne gjykatësit. Ne nuk jemi arbitra të kushtetutshmërisë së vendit”, tha shefi i ekzekutivit kosovar të shtunën.

Ai sqaroi idenë e komisionit ndërkombëtar për demarkacionin, për të cilin tha se do të vijnë specialistë të SHBA-ve dhe BE-së, të cilët do të ulen së bashku me opozitën dhe pozitën dhe do të hapin të gjithë dokumentacionin, për të vërtetuar nëse është bërë mirë puna, apo është gabuar diku.

Top Channel