Virusi që vjedh të dhënat, Shqipëria pjesë e operacionit të shkatërrimit të Dorkbot

04/12/2015 12:10

Dorkbot malware, viruset të cilat kanë prekur llogari në eBay, PayPal, Twitter, Facebook etj., është shkatërruar falë një operacioni ndërkombëtar i Europol dhe FBI-së, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.

Policia e shtetit bën të ditur se janë ekzaminuar të dhënat e gjetura nga viruset Dorkbot Malware dhe janë identifikuar 1427 ndërhyrje. Nga këto viruse janë prekur persona në 225 shtete të botës, si dhe janë infektuar 475.532 IP. Hetimet vijojnë edhe në Shqipëri për dokumentimin e plotë të dëmit të shkaktuar.

Vitet e fundit, edhe shqiptarët janë pjesë aktive e blerjeve online, nëpërmjet llogarive PayPal, apo edhe frekuentues të rregullt të eBay. Nëse llogaritë në Twitter apo Facebook nuk kanë një kosto financiare, por prekin të dhënat, në portalet e blerjeve online, preken financat e secilit person.

Ky operacion ndërkombëtar është bërë në bashkëpunim edhe me kolosët e teknologjisë si Microsoft. Këto viruse përhapeshin nëpërmjet USB-ve, aplikacioneve të mesazheve në rrjetet sociale, duke vjedhur kredencialet si internet banking, Facebook, Netflix, faqe të ndryshme porno, shërbimet e e-mailit. Duke marrë të dhënat personale çaktivizohej programi i sigurimit, dhe kështu instaloheshin viruse shtesë.

Një sulm i tillë në qershor të këtij viti bllokoi sistemin e emaileve të qeverisë federake në SHBA, dhe faqet e internetit të departamenteve kryesore.

Top Channel