Seanca gjyqësore, prokurori kërkon dënimin e Limajt

04/12/2015 00:00

Në seancën e së premtes ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij, për rastin e Ministrisë së Transportit, prokurori Charles Hardway ka paraqitur pretendimet e tij, duke kërkuar nga trupi gjykues që të pandehurit të shpallen fajtorë.

Në fjalën e tij, prokurori është ndalur gjatë edhe mbi korrupsionin si fenomen, të cilin ai e cilësoi si “kancer” në Kosovë.

“Sfida më e madhe ka qenë dhe mbetet edhe sot korrupsioni. Dhe korrupsioni në Kosovë është lejuar të krijohet e të zhvillohet sikurse një kancer, që ka infektuar një bashkësi njerëzish, që e njohim si popull të Kosovës. Korrupsioni tashmë është aq i madh dhe aq i rrënjosur në mesin e shoqërisë kosovare, saqë po konsiderohet si gjë e zakonshme e të bërit biznes”, tha Charles Hardway, prokuror i çështjes.

Prokurori tha se, Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit ka qenë një strukturë kriminale e udhëhequr nga Fatmir Limaj dhe Endrit Shala. Ai shtoi gjithashtu se, në këtë rast, kemi të bëjmë me krim të organizuar, që dënohet me nenin 274 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa avokatët mbrojtës kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e prokurorit.

“Ai iu është referuar gabimisht të gjitha provave. Ajo që është me rëndësi, dy ekspertët e Prokurorisë që janë ekspertë ndërkombëtarë, që janë propozuar në aktakuzë, asnjëri prej tyre nuk ka konstatuar asnjë lloj shpërdorimi në të gjithë tenderët, që kanë qenë objekt kontrolli. Jo vetëm këto tendera, që janë objekt akuze, por në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit janë kontrolluar rreth 50 tendera dhe në asnjërin prej tyre nuk kanë gjetur keqpërdorime apo parregullsi, të cilat do të mund të kualifikoheshin si veprime inkriminuese”, tha Tahir Recaj, avokat mbrojtës i Fatmir Limajt.

Seanca ka vazhduar me paraqitjen e argumenteve nga avokatët mbrojtës.

Top Channel