Punësimi zyrtar, 530 infermierë drejt Gjermanisë

04/12/2015 00:00

Janë rreth 530 infermierë nga Shqipëria, që deri në fund të këtij viti do të punësohen në profesionin e tyre në Gjermani me një kontratë dyvjeçare.

Përfaqësuesi i Dekra-Akademi, Musa Ahmeti tha se kanë aplikuar mbi 4500 persona, ku pjesa më e madhe janë femra.

“Ne kërkojmë infermiere të përgatitura, për të cilat garantojmë vendin e punës në Gjermani për dy vjet, një pagë minimale prej 1500 eurosh dhe rritje e koeficientit të rrogës sipas standardeve dhe certifikatave të infermierëve. Deri në fund të vitit do të shkojnë 531 infermierë nga Shqipëria që e kanë të garantuar vendin e punës të barabartë me infermierët e tjerë që jetojnë në Gjermani”, thotë Ahmeti.

Përfaqësuesi i kompanisë gjermane tha se marrëveshja e tyre për të punësuar infermierë është bërë vetëm me këtë kompani, ndaj aplikuesit duhet të kenë kujdes që të mos bien pre e abuzimeve.

“Ky program është pa pagesë dhe u mundëson punësimin infermierëve shqiptarë në Gjermani. Grupi Dekra Kompani ka bashkëpunim me Interpersonal Albania, i cili është i vetmi i licencuar në Shqipëri”, thotë ai.

Në total numri i aplikimeve për të punuar në Gjermani, pranë shoqërisë “Interpersonal” llogaritet në 4,560.

Top Channel