Ligji për kthimin e pronave, Qato: 25% e pretendimeve qëndrojnë

04/12/2015 00:00

Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato pranon se ligji i ri i pronave prek një kategori pronarësh, të cilëve u ka ndryshuar statusi i pronës ndër vite, por sipas saj numri i tyre është i kufizuar, krahasuar me ata që përfitojnë.

Këtu bëhet fjalë për ato prona, që në momentin e shpronësimit kanë qenë tokë bujqësore, dhe si rrjedhojë do të kompensohen me një vlerë më të ulët.

“Nga llogaritë tona paraprake rezulton që rreth 20-25 për qind të vendimeve që presin për t’u kompensuar, të cilët rezultojnë me ndryshim të zërit kadastral. Ndërkohë, 70-75% të vendimeve që presin të kompensohen do të trajtohen 100 për qind me vlerën e pritshme që ata kanë pretenduar deri më sot. Kjo do të thotë se kanë pasur tokë bujqësore në vitin 1945, këtu po e përgjithësoj, kanë edhe sot tokë bujqësore, kështu që do të kompensohen me vlerën e tregut sot për tokën bujqësore. E njëjta logjikë qëndron edhe për tokën truall”, tha Sonila Qato.

Por, ndërkohë që është shoqëruar me debate të forta, sipas Qatos, ligji jep një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare për ngërçin e pronave, brenda mundësive financiare që ka shteti.

“Ligji i vendos pronarët në momentin e shpronësimit të tyre duke i trajtuar të gjithë në një mënyrë të drejtë përmes një shpërblimi po të drejtë”, tha më tej Qato.

TCH: Pyetja është, a është e drejtë që dikujt të cilit i janë shpronësuar 10 mijë metër tokë t’i kthehen 1 mijë metra?

“E shtruar pyetja kështu siç thoni ju, nuk duket e drejtë, por e trajtuar çështja në përgjithësi bazuar në një parim ku përfshihet interesi publik, taksapaguesit shqiptarë që do të kontribuojnë në kompensimin e pronarëve brenda 10 viteve dhe, duke parë që numri i personave preket shumë pak krahasuar me personat që përfitojnë për herë të parë nga ky proces, gjë që nuk e kishin bërë ndonjëherë, atëherë mendojmë që ligji ka efekt të japë një zgjidhje të përgjithshme kësaj situate duke i dhënë fund”, tha Sonila Qato.

Opozita e quajti draftin si mekanizmin, përmes të cilit qeveria e majtë po i rishpronëson pronarët.

“Qeveria shqiptare, për herë të parë në funksion të shpronësimit të pronarëve ka vendosur një fond kompensimi 50 mld lekë, 10 herë më të madh sesa fondi i vënë në 10 vitet e fundit nga qeveritë e kaluara, dhe brenda brenda vitit 2016 ka vënë në dispozicion më të madh se 3 mld lekë, praktikisht sa fondi i viteve të fundit për kompensimin e pronarëve”, deklaroi Qato.

Ligji i ri i pronave është kundërshtuar fort veçanërisht në dy pika: atë që e dëmshpërblen pronënm sipas statusit që ka pasur kur është shpronësuar, dhe atë që ul kompesimin fizik, duke e bazuar atë në vlerën e kohës së shpronësimit.

Top Channel