“Infokioskat” e OSHEE-së, nis ndërtimi i qendrave elektronike të informimit

03/12/2015 15:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjise Elektrike inaguroi sportelin e parë elektronik në një prej qendrave tregtare të Tiranës.

Bëhet fjalë për shërbimin infokioska ku klientë mund të kryejnë pagesat, të marrin informacion për gjendjen e faturave, apo të bëjnë ankesa përmes sporteleve elektronike.

“OSHEE e ka në fokusin e saj gjithnjë e më tepër përmirësimin në mënyrë të dukshme të marrëdhënies me klientin. Gjatë këtij viti kompania mori disa nisma për krijimin e kompanive alternative për shërbimin e pagesës si përmes telefonit, pikave të këmbimit valutor etj. Në këto sportele ka rritje të ndjeshme të veprimeve nga abonentët. Vetëm në muajin tetor u regjistruan 120 mijë pagesa nga sportelet ndërsa nga shkurti janë mbi 820 mijë pagesa në formë elektronike”, tha Ardian Çela, administrator i OSHEE-së.

Sipas Gjiknurit përmirësimi i Financave të OSHEE-së do të mundësojë përmirësimin e kujdesit ndaj klientit. Ai deklaroi se do të ketë shërbime të tjera digjitale.

“Shërbime më të mira për sa i përket furnizimit me energji që kërkon kohën e vet, vite dhe investime. Pse jo edhe me pak para, të përmirësojmë bazën e shërbimit me klientin. Konsumatori shqiptar, sa më shumë i bashkohet formalizimit të tij në sistem, aq më tepër kërkon shërbim cilësor. Qëllimi ynë është pikërisht që të ofrojmë shërbime alternative dhe korrekte përmes formave moderne online”, tha ministri Gjiknuri.

Gjithsej, në të gjithë vendin do të instalohen 20 sportele të tilla nëpër qendra tregtare.

Top Channel