Gjyqi ndaj Limajt, të pandehurit pohojnë pafajësinë e tyre

03/12/2015 12:15

Ish-ministri i Transportit dhe Post-Telekomit në Kosovë, Fatmir Limaj, si dhe 4 bashkëpunëtorët e tij, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka janë vetëdeklaruar të pafajshëm, pasi iu lexua aktakuza për “shpërdorim detyre”, “korrupsion” dhe “krim të organizuar”.

“Krimi i organizuar, vepër e dënueshme me gjobë prej 500 mijë eurosh dhe me burgim nga 7 deri në 20 vite. Në Kosovë, në vitet 2008-2010, të pandehurit kanë vepruar si pjesëtarë të grupit të organizuar kriminal, i cili ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprave të rënda penale. Qëllimi i këtij grupi të organizuar kriminal ka qenë të jepnin kontrata të favorshme për ndërtimin e rrugëve. Tenderat për mirëmbajtjen e rrugëve u janë dhënë kompanive të rrugës, me premisën që një pagesë, në shumën e 20 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratave, të bëhej për këtë grup kriminal. Pjesëtarët e këtij grupi kriminal kanë pasur lidhje familjare ose shoqërore me familjen e Limajt. Fatmir Limaj është një figurë politike shumë e fuqishme me ndikim dhe tepër popullor në Kosovë, i cili ka shërbyer si kreu i këtij grupi të organizuar kriminal”, tha prokurori gjatë leximit të aktakuzës.

Seanca kundër Limajt është shoqëruar prej mëngjesit të së enjtes me ndërprerje, për shkak se ish-ministri, tashmë kreu i “Nismës për Kosovën” u ankua se i dhimbte dhëmbi.

Por, prokurori i rastit nuk u bind me ankesën e Limajt dhe kishte dyshime për këtë gjë, çfarë e nervozoi të pandehurin.

“Zonja gjyqtare, të lutem ndali këto lojëra të kësaj Prokurorie, që prej 6 vitesh është duke e shkatërruar familjen time. Janë duke bërë lojëra. Unë thash se dua të shkoj t’i bëj një ndërhyrje dhimbjes së dhëmbit, nuk jam duke shkuar të vdes. Normal që dal edhe në 3, në 4 apo në 6, nuk ka problem. Nuk po shkoj të vdes, nëse doni unë rri. Kjo rrugë, kështu siç e keni nisur zonja gjyqtare, është diskriminim, shkelje e të drejtave të njeriut, është lojë dhe ju po e lejoni një gjë të tillë”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.

Gjyqtarja e EULEX-it lejoi një pushim prej dy orësh, për t’ia mundësuar Limajt kontrollin mjekësor, ndërsa në vazhdim të seancës, ekzaminimi mjekësor u dëshmua me vërtetim nga avokati Tahir Rrecaj, i cili deklaroi se Limaj do të dalë i pafajshëm edhe nga ky proces gjyqësor. Gjykimi ndaj Limajt dhe të tjerëve do të vazhdojë ditët e ardhshme, teksa Prokuroria ka propozuar 8 dëshmitarë.

Top Channel