Bylykbashi: Dekriminalizimi votohet brenda 2 javëve

03/12/2015 21:40

Në seancën e kësaj të enjteje, projektligji i dekriminalizimit nuk bënte pjesë në kalendarin e punimeve të Kuvendit duke “zhgënjyer” pritshmëritë e eurodeputetëve, Fleckenstein dhe Kukan që një ditë më parë, në një intervistë për Top Channel prisnin miratimin e tij këtë të enjte.

Megjithatë, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, njeriu që ka udhëhequr hartimin e projektligjit nga ana e Partisë Demokratike, në një lidhje të drejtpërdrejtë me Top Story-n deklaroi se dekriminalizimi do të kalojë brenda këtij viti.

“Votimi do të bëhet këtë të enjte, ose të enjten tjetër ndoshta. Do të bëhet brenda dy javëve, brenda këtij viti”, tha Bylykbashi.

Deputeti demokrat u është përgjigjur edhe pretendimeve të ngritura nga qarqe juristësh se projektligji mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Ndryshimet parashikojnë dhe mundësinë që personat me proces të rregullt ligjor për heqjen e mandatit të kenë mundësi t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por këta persona, kur identifikohen si persona që kanë kryer një vepër penale, janë të dënuar ose janë në ndjekje penale nga vendet e BE-së dhe SHBA. Kushtetuta do të autorizojë këtë veprim, jemi plotësisht të kopsitur në këtë aspekt. Kjo është një mbrojtje e institucioneve demokratike nga penetrimi i elementëve kriminalë”, deklaroi Bylykbashi.

Deputeti i opozitës shtoi se ligji detyron zyrtarët që të bëjnë një vetëdeklarim dhe në momentin kur verifikohet që janë të dënuar, këta persona humbasin mandatin.

“Do të kemi mundësi që të frenojmë këtë ortek të kriminalitetit që është ftuar për të marrë pjesë në politikë”, u shpreh ai.

Bylykbashi komentoi edhe projektligjin për pronat, një projektligj që opozita e kundërshton dhe që ai e cilësoi si “tmerrues”.

“Jemi përpara diçkaje, një ligji që bën një gjë që është e paprecedentë, tmerruese; rishpronëson pronarët. Nëse një ish-pronar ka të drejtën të marrë si pronë nga trashëgimia që ka nga gyshi 1 mijë m në Tiranë, ky person nuk do t’i marrë, por do t’i jepet vetëm ajo sipërfaqje që i korrespondon vlerës së këtij trualli për vitin 1945 le të themi”, deklaroi Bylykbashi, duke shtuar se ky mekanizëm i parashikuar nga ky projektligj është rrëzuar nga vendimet të Gjykatës Kushtetuese dhe nga ajo e Strasburgut.

Top Channel