Terrorizmi, Kosova me ligj të ri; burg për “thirrjet” në Facebook

02/12/2015 17:40

Samet Imishtit, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës dhe ajo italiane, i është dhënë masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

44-vjeçari nga fshati Rezhancë i Komunës Hani i Elezit, dyshohet për nxitje të veprave terroriste.
 
Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Imishti në mënyrë publike, që nga viti 2013, në rrjetin social “Facebook” ka bërë komente dhe publikime të hapura, propagandë, nxitje të urrejtjes, duke përkrahur hapur ideologjinë ekstremiste të grupit terrorist të ISIS.
 
Me ligjin e ri kundër terrorizmit, Kosova ka ashpërsuar masat e dënimit për qytetarët që nxisin të tjerët të bashkohen në luftëra të huaja.
 
Sipas ligjit të ri, kushdo që në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizive, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale terroriste, dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vite.
 
Avokati Bajram Tmava ka bërë thirrje për përdorim të kujdesshëm të rrjeteve sociale nga qytetarët, pasi sipas tij, të gjitha publikimet e tyre ndër vite, mund të përdoren si prova në procedura penale ndaj tyre.

“U bëj thirrje gjithë qytetarëve, të cilët kanë rrjete sociale, që t’i përdorin ato me kujdes. Sepse çdo përdorim i rrjetit social pa kujdes dhe pa ndonjë analizë të caktuar mund ta sjell nën përgjegjësinë penale, pat apo nuk pat përgjegjësi, po qe se ai postim në rrjetin social asocon në ndonjë veprimtari të tillë apo të ngjashme”, u shpreh Bajram Tmava, avokat.
 
Sociologu Fadil Maloku vlerëson se ligji i ri kundër terrorizmit i ka dy anët e medaljes, pasi sipas tij, në njërën anë i disiplinon qytetarët në mënyrën e komunikimit në rrjete sociale, por në anën tjetër, i kufizon liritë e shprehjes.
 
“E disiplinon publikun që të jetë më i kujdesshëm, më i vëmendshëm për deklarimet e tyre publike të cilat natyrisht nxisin konflikte, nxisin pastaj pakënaqësi dhe qëllimi i shtetit është që të ruajë qetësinë publike. Në këtë drejtim mendoj se është mirë që është miratuar ky ligj. Por në anën tjetër kam rezerva për shkak se është pak i parakohshëm për shkak se Kosova është një demokraci akoma e brishtë dhe si e tillë mund të ketë edhe keqkuptime që i cenon të drejtat e njeriut në kuptimin që njerëzit janë më të kufizuar”, tha sociologu Fadil Maloku.  
 
Për shkak të numrit të madh të kosovarëve që kanë shkuar në luftën e Sirisë, institucionet e inteligjencës shtetërore kanë ngritur masat e sigurisë dhe monitorimit të komunikimeve elektronike të qytetarëve që nxisin urrejtje apo bëjnë nxitje për luftën e Sirisë.

Top Channel