“Sëmundja nuk më ka bërë të heq dorë nga pasioni im”

02/12/2015 00:00

Ina është një ndër të rinjtë më aktiv të qytetit të Fierit. Edhe pse një person më nevoja speciale, ajo angazhohet gjithë ditën për të zbukuruar sadopak jetën e fëmijëve të qendrës “Horizont”. Ajo shkon çdo mëngjes e buzëqeshur, duke u munduar të transmetojë energji pozitive, e siç thotë të shpërndajë rreze që ngrohin çdokënd që ka pranë.

Si pasojë e një sëmundjeje vetëm tre ditë pas lindjes, Ina nuk pati mundësinë të kishte një fëmijëri krejtësisht si të tjerët. Megjithatë familjarët e saj nuk u dorëzuan dhe i qëndruan pranë për t’ia lehtësuar jetën vajzës së tyre.

Tashmë 27-vjeçe, Ina angazhohet vullnetarisht në shumë aktivitete të qytetit të Fierit e në veçanti duke ndihmuar personat me nevoja speciale.

Pasioni më i madh i Inës është fotografia. Që në fëmijëri ajo është rritur me aparatin fotografik. Në ditën Ndërkombëtarë të Personave me Nevoja të Veçanta, ajo do të hapë ekspozitën e saj të parë e titulluar “Mos fshih aftësitë e mia”.

Top Channel