Prenga në Prokurori: Do të përgjigjem me shkrim

02/12/2015 11:00

Një javë pasi u la i lirë nga Gjykata e Lartë me masën e arrestit shtëpiak, deputeti Armando Prenga u thirr nga prokurorët për t’u pyetur mbi akuzat që i adresohen për konfliktin e Luginës së Patokut.

Deputeti Prenga u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme i shoqëruar nga avokati, i cili e përfaqësoi gjatë tre muajve që ai mbahej në paraburgim për plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.

Por, ndërsa dy prokurorët e çështjes tentuan ta pyesin për ngjarjen që përfundoi me disa persona të plagosur lehtë, deputeti refuzoi të flasë me argumentin se do të përgjigjet me shkrim sapo t’i vendosen në dispozicion fashikujt e hetimit.

Gjithashtu, Prenga kërkoi të thirren si dëshmitarë edhe disa persona të tjerë, që mesa duket e rrëfejnë ngjarjen e shtatorit në favor të tij.

“U thirrëm për një seancë pyetjesh në kuadër të veprimeve hetimore dhe njëkohësisht u njohëm me aktet e hetimit të këtij procedimi penal. Vendosëm që pasi të njihemi me aktet që janë krijuar dhe që nuk na janë komunikuar të mbajmë qëndrimin tonë përfundimtar në lidhje me akuzën e ngritur”, deklaroi Baftjar Rusi, avokat mbrojtës i deputetit.

Në Prokurorinë e Përgjithshme paraditen e së mërkurës ishte edhe deputeti Tom Doshi, i cili është kallëzuar për fshehje të pasurisë nga ILDKPI. Deputeti u paraqit për t’u njohur, sipas procedurës, me ekspertin e caktuar nga prokurorët për këtë çështje. 

Top Channel