Përkujtohet 71-vjetori i lindjes së Rugovës, Mustafa: Arkitekti i Kosovës së pavarur

02/12/2015 00:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar këtë të mërkurë presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, me rastin e 71-vjetorit të lindjes.

Kryeministri Mustafa theksoi se, Presidenti Ibrahim Rugova është themeltar i shtetit të Kosovës, burrë i madh i vendit, i cili me vizionin, mençurinë, urtësinë dhe vendosmërinë e pashoq, e udhëhoqi popullin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e këtyre aspiratave shekullore.

“Presidenti Ibrahim Rugova është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai u vu në ballë të rezistencës së popullit të Kosovës, të elitës intelektuale dhe të të gjitha forcave të atdhetarëve, duke fituar simpatinë dhe përkrahjen e botës demokratike perëndimore. Ky bashkim vlerash solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Duke iu referuar trashëgimisë intelektuale, politike dhe shpirtërore që Presidenti Rugova ka lënë pas, kryeministri Mustafa theksoi se me jetën dhe veprën e tij kolosale, Presidenti Rugova është bërë sinonim dhe simbol i epokës, që solli pavarësinë e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim maksimal rrugën e konsolidimit të shtetësisë, integrimit në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrugë e nisur nga Presidenti Ibrahim Rugova, e cila po vazhdohet me vendosmëri nga qytetarët e Kosovës”, tha më tej kryeministri Mustafa.

Veç kreut të qeverisë, njëkohësisht kryetar i LDK-së, Mustafa, homazhe pranë varrit të Rugovës kanë kryer sot edhe anëtarë të Kryesisë qendrore të këtij subjekti politik, si dhe pasardhësit e ish-presidentit, Mendim dhe Teuta Rugova.

Top Channel