
Në përmbyllje të vizitës në Gjermani, kryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua me zv.presidentin e Parlamentit gjerman, Johannes Singhammer.
Kryeparlamentari shqiptar e informoi atë për ecurinë e reformave në vend. Shqipëria – tha Meta, – është e vendosur të përmbushë të gjitha rekomandimet e raportit të progresit të Komisionit Europian dhe se shpreson, që vitin e ardhshëm të hapë negociatat për anëtarësim.
Zëvendëspresidenti i Parlamentit gjerman siguroi mbështetjen e vendit të tij, por theksin e vuri tek azilantët.
Gjermania – tha ai, – do të jetë një mbështetëse e palëkundur e projektit europian të Shqipërisë. Por me rëndësi është parandalimi i emigracionit të paligjshëm dhe shfrytëzimi i mundësive që ekzistojnë për punësim të ligjshëm, përmes arsimimit profesional të të rinjve shqiptarë.
Në takim me kryetarin e Komisionit parlamentar të Mbrojtjes u diskutua për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, pas rritjes së rrezikut që vjen nga terrorizmi dhe ISIS.
Të njëjtat tema, Meta i diskutoi edhe në takimin me Sekretarin parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili vlerësoi rolin e forcave tona të armatosura në kuadër të NATO-s.
Top Channel