Kur ngrihet konflikti, bie gjithmonë liria

02/12/2015 00:00

Nga Aleksandër Çipa – Nëse klasa e re politike e Kosovës do ta refuzonte kulturën politike të klasës në Tiranë, kjo do të ishte një vlerë dhe pse jo edhe dobi. Përvoja politike me emrin “tranzicion” në Shqipëri është një shembull, të cilin nuk ke arsye pse ta imitosh e aq më tepër ta huazosh.

Bëhet fjalë për një përvojë negative, e cila vlen vetëm për vonesë dhe prapambetje shumëplanëshe të shoqërisë në përgjithësi, por të shtetit në mënyrë të veçantë. Mirëpo fatkeqësisht, duket se përvoja e re politike në Kosovë, po shëmbëllen me përvojën e keqe të shkuar të Shqipërisë së tranzicionit.

Janë dy tranzicione që nuk kanë asnjë arsye pse të fitojnë ngjashmëri dhe aq më tepër pse të shëmbëllejnë si kopje të njëjta në kohë të ndryshme për dy hise që kanë fatin të jenë në një hapësirë kombëtare. Politikanët e të dy kryeqyteteve në kohë të ndryshme, për arsye vetjake, kanë shtuar prova të refuzimit dhe ikjes prej njëri-tjetrit. Mirëpo në praktikën politike po aq keqësisht po gjenerojnë të njëjtën mënyrë politikëbërjeje.

Ajo që po ngjet gjatë muajit të parafundit të vitit në Prishtinë, shëmbëllen plotësisht me kohët e pikut konfliktual të tranzicionit në Shqipërinë postkomuniste. Janë të njëjtat skena me kacafytje deputetësh gjer edhe lëndime e gjakime, me një gjuhë që nuk ka asnjë dallim nga ajo e rrugës dhe ku akuza për hajni e krime po rivalizon me vetë ajrin, me të cilin mbushen mushkëritë njerëzore për ekzistencë. Në këtë mënyrë, kultura e ndotjes verbale dhe ajo e komunikimit të dhunshëm në Prishtinën e fundvitit 2015 nuk ka shumë dallim nga ajo e përdorur mes palëve politike në Shqipërinë e 1998-s apo të 2004-s. Por kjo gjuhë në Shqipëri e ka humbur protagonistin e saj më të pashembullt Sali Berisha, politikanin aktiv më të vjetër, ndoshta në të gjitha trojet shqiptare.

Mirëpo ka fituar tashmë protagonistë të vet në skenën politike të Prishtinës dhe kjo shumëfishon skepticizmin për një të ardhme normale në këtë skenë dhe sidomos në marrëdhëniet e politikës me institucionet dhe forcimin e shtetit. Gjuha e konfliktit politik në Parlamentin e Kosovës ka pasuar me dhunë fizike, me veprime të cilat e kanë shembur gati plotësisht imazhin e një parlamenti republikan, ku palët dhe protagonistët, pavarësisht nga përkatësia e ndryshme, nuk po mundin të sendërtojnë një dialog dhe debat parlamentar që dëshmon maturi dhe përgjegjësi.

Në këtë subjekt të fundit konflikti, natyrisht të ndëshkuar në imazhin publik janë të dyja palët; edhe shumica parlamentare që ka përdorur policinë, por edhe i ndëshkuari si në kohë të hidhura, deputeti Albin Kurti dhe Vetëvendosja. Palët në këtë kapitull konflikti kanë humbur gravitetin me debatin demokratik. E drejta e Albinit dhe këmbëngulja e tij, ka tejkaluar shumëçka, kur në sallën e Parlamentit shkohet me bomba tymuese. Ndërkohë që shumica qeverisëse e Kryeministrit Mustafa dhe bashkortakut qeverisës Hashim Thaçi, është shpërdoruar kur Policia e Shtetit prangos në publik deputetët dhe ushtron dhunë mbi selinë partiake të opozitës. Të dyja këto sjellje janë jo tejkalime të së njëjtës balancë, por akte që shembin demokracinë dhe besueshmërinë ndaj institucioneve.

Nuk janë përgjakur aktivistët opozitarë në datën 28 nëntor në Prishtinë, por është shembur besimi ndaj mospërdorimit të shtetit, policisë dhe organeve të drejtësisë. Njëjtë siç ka ngjarë në Shqipërinë e tranzicionit në më shumë se 20 vjet. Pasioni për të përdorur dhunën dhe ndërhyrjet brutale të policëve kundër politikanëve opozitarë është dëshmi e primitivitetit demokratik në republika rishtare. Kosova këtë përvojë do të duhej ta kishte të freskët prej realitetit politik të Shqipërisë dhe s’ka përse ta mishërojë si pashmangshmëri të tranzicionit të vet. Në këtë përplasje askujt nuk i nevojitet iluzioni për dëshmi të dhunshme, se pala që proteston është e gjitha patriote dhe ajo që mbron marrëveshjet është e gjitha tradhtare.

Një ndarje e tillë është pasaporta e konfliktit pa krye dhe e kohës së konfliktualitetit që i kushton shumë një shoqërie, një vendi dhe sidomos iluzionit për shtetin që nuk mund të ngrenë. Sa herë ngrihet konflikti apo demonizimi i kundërshtarëve politikë, bie liria dhe demokracia e vendit dhe e shoqërisë. Këto janë rënie me kosto të shumëfishta. Ato bashkëjetojnë me dëshpërimin masiv dhe me deziluzionet kombëtare. Në Shqipëri dhe Kosovë po rritet perceptimi për një klimë dëshpërimi dhe pakënaqësie. Kjo frymë po lihet në mëshirë të fatit, jashtë vëmendjes dhe ndërhyrjes për të shkaktuar dhe dhënë prova kontrasti e shprese. Përleshjet fizike të Albin Kurtit dhe djemve të Vetëvendosjes me gardistët e Isës apo Hashimit dhe sidomos molotovi i tyre në Parlament, nuk mund të kenë zgjidhje me burgosje apo gjyqe si në mot të shkuar. Protagonistët e politikëbërjes në Prishtinë nevojitet të heqin urrejtjen ndaj njëri-tjetrit dhe të kujtojnë se sovrani mbi ta, ka votëbesuar një tjetër përfaqësim dhe mision parlamentar. Nëse udhëtohet në këtë rrugë, atëherë zgjidhje mund të jenë edhe zgjedhjet e parakohshme, por frytin e besimit nuk mund ta ketë më në dorë as Vetëvendosja e as polici-përdorësit e qeverisjes. Dëshmitë e kësaj përvoje i ka rikonfirmuar sa e sa herë realiteti politik i Shqipërisë së tranzicionit, për ta ditur atë nuk ka nevojë të udhëtohet nëpër “Rrugën e Kombit”.

Top Channel