Kreu i “Bankers”: Të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë

02/12/2015 11:50

Kreu ekzekutiv i “Bankers Petroleum”, David French, nëpërmjet një letre të hapur, ka konfirmuar “gadishmërinë e kompanisë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet shqiptare”. Në këtë letër theksohet se “kompania mirëpret një zhbllokim të llogarive për të vijuar aktivitetin normalisht në fushën naftëmbajtëse më të madhe të vendit”.

Bankers beson se është në interesin më të mirë të Qeverisë, kompanisë dhe vendit për të arritur një zgjidhje të përbashkët. Sfida e tanishme me të cilën ne po përballemi është bllokimi i llogarive tona bankare shqiptare nga Drejtoria e Tatimeve, në një përpjekje për të mbledhur vlerësimin mbi tatim-fitimin për vitin 2011, ndërsa diskutimet ende vazhdojnë. Është interesi më i madh dhe i sinqertë i “Bankers” që të vazhdojë të operojë normalisht në fushën e naftës. Pamundësia për të përdorur këto llogari bankare e bën të pamundur këtë, sepse ne nuk jemi në gjendje të paguajmë rentën minerare ose të paguajmë nënkontraktorët tanë. Nëse Qeveria lejon Drejtorinë e Tatimeve që të na japë akses në llogaritë tona bankare në ditët e ardhshme, ne do të jemi në gjendje të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të gjithë procesin e ndërmjetësimit dhe të punojmë me Qeverinë për të gjetur një zgjidhje. Ne mbetemi me shpresë se kjo do të jetë ecuria”, lexohet në letrën e David French.

Top Channel