“Bankers”, Qeveria: Pasuritë e shqiptarëve nuk mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit

01/12/2015 19:25

Qeveria shqiptare ka reaguar pas deklaratës së “Bankers Petroleum” se do të ndërpresë prodhimin e naftës në Patos Marinzë për shkak se qeveria nuk po zbaton urdhërin e Gjykatës së Arbitrazhit për zhbllokimin e llogarive nga Drejtoria e Tatimeve.

Qeveria ka bërë me dije në një deklaratë se është e ndërgjegjshme “për kërcënimet e bëra nga “Bankers” për të reduktuar aktivitetin”, por ka shtuar se “pasuritë e shqiptarëve nuk mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit”.

“Të gjitha kompanitë që punojnë në Shqipëri duhet t’i binden ligjeve në fuqi. Kemi të drejtën për të ruajtur integritetin afatgjatë të pasurive të çmuara të vendit”, lexohet në deklaratën e qeverisë.

Përmes një njoftim zyrtar, kompania kanadeze ka deklaruar se, bllokimi i llogarive nga Tatimet e ka vënë në vështirësi për të financuar operacionet e saj.

“Bankers” thotë se javën e kaluar ajo eksportoi vetëm 85 për qind të sasisë së prodhuar, pasi nuk mund të financonte më tepër transportin për shkak të bllokikmit të llogarive nga Tatimet.

Kompania bën të ditur se deri tani ka vijuar prodhimin normal në vendburim, por paralajmëron se, nëse autoritetet shqiptare nuk do të zhbllokojnë llogaritë ajo do të vazhdojë reduktimin e naftës së prodhuar deri në ndalimin e plotë të operacioneve të saj.

Top Channel