16-katëshi, PS: Prokuroria të hetojë Bashën. PD: Pas aferës fshihet Rama

01/12/2015 00:00

Do të mjaftonte një deklaratë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ta rikthyer edhe njëherë në qendër të debatit politik në vend, pallatin 16-katësh në qendër të kryeqytetit.

Partia Socialiste, me anë të nënkryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla, ka kërkuar hetim të menjëhershëm nga Prokoruria, për atë që e cilësoi si aferën e fundit të Lulzim Bashës si kryetar bashkie.

“Lulzim Basha duhet t’u shpjegojë qytetarëve se, pse me firmën e tij, vetëm 6 ditë përpara se të dorëzonte detyrën e kryetarit të bashkisë, ka miratuar vazhdimin e një ndërtimi abuziv. Plot 16 kate ndërtohen me firmën e Bashës në truallin e një përfaqësie diplomatike në qendër të Tiranës, ngjitur me një tjetër ndërtesë”, tha Taulant Balla.

Aferë nuk ngurroi ta quajë edhe Partia Demokratike, por sipas Enno Bozdos, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, pas saj fshihet Edi Rama.

“E vërteta e aferës së pallatit 16-katësh në zemër të Tiranës është se, Edi Rama si kryebashkiak i ndërpreu me forcë punimet, pasi nuk mori nga investitorët ryshfetin e lartë që kishte kërkuar. Pikërisht ryshfeti i Edi Ramës ishte baza e procesit gjyqësor, që ndoqi më pas investitori, i cili e fitoi të drejtën në Gjykatën e Strasburgut. Leja për pallatin është dhënë në vitin 1998, pra jo në periudhën kur Basha ishte kryetar bashkie”, tha Enno Bozdo.

Në tetor të vitit 2013, Policia e Shtetit dhe Inspektoriati i Ndërtimit pezulluan punimet pranë këtij pallati, për shkak të mosparaqitjes së dokumentacionit përkatës, si dhe për mosrespektim të kushteve të ndërtimit.

Top Channel