Presidenti Bujar Nishani, në fjalën e tij në Konferencën për Klimën që po mbahet në Paris, ka deklaruar se Shqipëria është e gatshme të punojë për përmbushjen e objektivave për reduktimin e çlirimit të gazit serrë.
“Shqipëria është në një pozicion unik sa i përket emetimeve të ulëta të gazeve me efekt serrë, pasi sektori i prodhimit të energjisë elektrike është plotësisht i dekarbonizuar dhe afro 1/3 e prodhimit parësor të energjisë bazohet në energjitë e rinovueshme. Aktualisht në Shqipëri, emetimi i gazeve me efekt serrë është 1.4 ton për frymë. Por, pavarësisht këtyre avantazheve, autoritetet shqiptare, nëpërmjet vënies në efiçencë të burimeve kombëtare, si dhe me ndihmën e donatorëve të ndryshëm, miratuan dhe dorëzuan INDC-në, brenda afateve të përcaktuara nga Konventa. Kontributi Kombëtar, do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në shqyrtimin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe do të përcaktojë dekarbonizimin si një rrugë të re zhvillimi”, ka deklaruar Nishani.
Duke përfituar nga rasti, kreu i shtetit ka shprehur solidaritetin e Shqipërisë për popullin francez, “pas sulmeve barbare të 13 nëntorit”.
Fjalimi i plotë i presidentit Nishani:
Nisur nga interesi ynë i përbashkët për të ardhmen e planetit tonë, Shqipëria u angazhua në Konferencën e 20-të të Palëve, në Lima (COP20) për përcaktimin e Kontributit Kombëtar të Synuar (INDC-ve), duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjeve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike drejtuar Palëve.
Shqipëria është në një pozicion unik sa i përket emetimeve të ulëta të gazeve me efekt serrë, pasi sektori i prodhimit të energjisë elektrike është plotësisht i dekarbonizuar dhe afro 1/3 e prodhimit parësor të energjisë bazohet në energjitë e rinovueshme. Aktualisht në Shqipëri, emetimi i gazeve me efekt serrë është 1.4 ton për frymë.
Por, pavarësisht këtyre avantazheve, autoritetet shqiptare, nëpërmjet vënies në efiçencë të burimeve kombëtare, si dhe me ndihmën e donatorëve të ndryshëm, miratuan dhe dorëzuan INDC-në, brenda afateve të përcaktuara nga Konventa. Kontributi Kombëtar, do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në shqyrtimin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe do të përcaktojë dekarbonizimin si një rrugë të re zhvillimi.
Në interesin më të mirë të arritjes së një Marrëveshje globale, Shqipëria si Vend Kandidat në Bashkimin Evropian, do të bëjë përpjekjet maksimale për realizimin e objektivave të përcaktuar në INDC për një Zhvillim të Qëndrueshëm. Gjithashtu, institucionet shqiptare, në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, po punojnë për përgatitjen e strategjisë kombëtare për ndryshimet klimatike, planin kombëtar të përshtatjes dhe legjislacionin përkatës në këtë fushë.
Me shpresën që INDC-ja e Shqipërisë, edhe pse modeste, do të kontribuojë në arritjen e një Marrëveshje të re e gjithëpërfshirëse e afatgjatë gjatë zhvillimit të kësaj Konference, ju siguroj se integrimi i ndryshimeve klimatike në planet dhe strategjitë e sektorëve kryesore të ekonomisë së vendit, është bërë pjesë tashmë e agjendës së institucioneve shqiptare.
Top Channel