“Fiks Fare”, mësuesit e profesionales në Berat nuk paguhen

30/11/2015 21:40

Në qytetin e Beratit ndodhet një shkollë zoo-veterinarie e vetmja shkollë profesionale kombëtare në rajon, por pavarësisht kësaj, kjo shkollë vuan një problem të madh; nuk ka një drejtues institucioni.

“Fiks Fare” denoncoi këtë të hënë situatën e pazakontë në shkollën e mesme profesionale “Kristo Isak”, ku rreth 50 persona nuk marrin rrogën e tyre që prej muajit shtator.

“Ka 3 muaj që ka filluar mësimi dhe zhvillohet në mënyrën më të rregullt, i përditshëm. Problemi është fare i thjeshtë, mësuesit punojnë, por janë të papaguar. Nëse emërohet një drejtor, një individ i specialitetit brenda po jashtë shkollës ne marrim rrogat. Rreth 50 punonjës nuk marrin rrogat”, thotë Dhimitër Pushi, mësues i shkollës “Kristo Isak”.

Arsyeja se përse nuk është dhënë rroga thuhet se lidhet me mosnjohjen e firmës së drejtuesit të institucionit nga ana e Degës së  Thesarit. Por, përveç kësaj, të pohuar nga disa mësues që pranojnë të flasin përballë kameras, ka edhe diçka tjetër. Disa prej mësuesve thonë se problemi nuk qëndron vetëm tek firma e drejtuesit të institucionit, por lidhet edhe me faktin se shumë nxënës nuk kanë marrë ende diplomat. 

Shkolla është hapur në vitin 1965 fillimisht me degët ekonomik dhe bujqësor dhe në vazhdim me degët zoo-veterinari, perime, fruti-kulturë deri në fillim të viteve 1990, ndërsa në vazhdim në këtë shkollë mbizotërojnë degët e profilit bujqësor dhe agro-kulturës.

Top Channel