Aksionet brenda VV-së, “Amnesty International” kërkon hetime

30/11/2015 00:00

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Amnesty International” ka kërkuar hetime për aksionet e fundit të Policisë së Kosovës, lidhur me arrestimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës së shtunë.

“Nga fotot dhe videot që kemi parë, duket se Policia e Kosovës përdori forcë të tepërt gjatë operacionit për arrestimin e aktivistëve të Vetëvendosjes në zyrat e kësaj force politike, gjatë ditës së shtunë”, ka thënë Sian Jones, hulumtues i “Amnesty International” për “Kosovo 2.0”.

“Ne jemi në procesin e mbledhjes së informacioneve të mëtejshme, por i bëjmë thirrje Mekanizmit Parandalues Nacional të hapë menjëherë hetime mbi sjelljen e policisë, si dhe çdo akuzë individuale për keqtrajtime”, ka shtuar Jones.

Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale, të shtunën në selinë e Vetëvendosjes ku edhe u arrestua deputeti Albin Kurti, në polici u shoqëruan mbi 90 zyrtarë dhe aktivistë. Dy zyrtarë të kësaj lëvizjeje, Fitore Pacolli – shefe e kabinetit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, – dhe anëtarja e kryesisë, Marigona Drevinja, kanë treguar për Top Channel atë se çfarë ndodhi brenda zyrave, gjatë arrestimit të Kurtit.

“Në atë moment na kanë shtrirë në tokë, kanë filluar të na godasin në kokë edhe me tytat e armëve. Kanë ushtruar dhunë edhe mbi Albin Kurtin. Të gjithë aktivistët që kanë qenë në sallë janë torturuar prej forcave policore, që kanë qenë të armatosura deri në fyt. Për disa minuta na kanë mbajtur të shtrirë në tokë, me tytat e armëve në kokë, kanë kërkuar të mos flasim dhe duke përdorur fjalë fyese gjatë gjithë kohës”, tha Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të kryetarit të komunës së Prishtinës, VV.

“Ata kanë thyer çdo derë dhe çdo gjë që kanë gjetur përpara. Kanë rrahur çdo aktivist, që ka qenë brenda zyrave. Kanë përdorur ‘sprajte’ kundrejt nesh në këto hapësira dhe na i kanë drejtuar armët që kishin me vete, duke na kërcënuar se do të na vrasin. Ata kanë përdorur edhe plumba gome, si në rastin e lëndimit në këmbë të aktivistit Frashër Krasniqi”, tha Marigona Drevinja, anëtare e kryesisë, VV.

Pas dërgimit në stacionin policor, sipas Pacollit dhe Drevinjës, aktivistëve të lënduar u është vonuar ndihma mjekësore nga Policia e Kosovës, ndërsa janë përdorur edhe fjalë fyese gjatë marrjes në pyetje nga disa zyrtarë policorë.

Lidhur me zhvillimet e së shtunës, Policia e Kosovës ka sqaruar se, të gjitha veprimet i kanë ndërmarrë në koordinim me prokurorin.

Top Channel