16 vjeç në luftë…

30/11/2015 00:00

Rikthimi në Spitalin e Gjakovës nuk është aspak e lehtë për të, edhe pse nëntorin e vitit 1998 ishte pikërisht ky vend, që e shpëtoi mrekullisht.

Plumbi që i kishte shpuar tej përtej barkun po i kërcënonte seriozisht jetën Fitim Abrashit, asokohe luftëtar 16-vjeçar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa sot invalid i asaj lufte.

E ëma dhe vëllai më i madh kanë qenë të vetmit nga familja, që e kanë përjetuar tmerrin e asaj dite.

Plagosja e një luftëtari të UÇK-së në ato vite vinte në rrezik jetën e të gjithë familjes.

Një tjetër sprovë për të ëmën ka qenë dërgimi për herë të dytë i djemve në luftë.

Mbarimi i luftës solli një jetë të re për të gjithë. Nisja nga e para për Fitimin ka qenë një betejë edhe për familjen e tij.

“E kishim një brengë, që nuk e lanë të hyjë UÇK-ja në qytet. Isha krenar. Pastaj ishte i vështirë rehabilitimi. Sot, me fat që ka një familje e dy fëmijë të bukur”, thotë babai i tij.

Për familjen Abrashi, ato vite tashmë janë hedhur pas krahëve.

17 vite më parë, Fitim Abrashi ishte një adoleshent plot ideale, të cilit lufta i la vragë të rënda në trup e shpirt. Sot, idealet jetojnë ende me të, e do të vazhdojnë të jenë aty për një kohë të gjatë, derisa vraga e shpirtit të tij të gjejë shërim, në Kosovën që nuk e zhgënjen…

Top Channel