Pallatet që rrezikojnë shembjen, në kërkim administratori i firmës

29/11/2015 00:00

Situata në Selitë të Vogël të Tiranës mbetet ende problemtaike. Ndërkohë që po mendohet një zgjidhje për dy pallatet që rrezikojnë të shemben nga rënia masive e dheut, policia e mban të bllokuar aksin rrugor që kalon midis tyre.

Banorët janë larguar që aty në pritje të një urdhri të dytë. Askush nuk lejohet të kalojë në rrugë për shkak se inxhinierët mendojnë se edhe pesha trupore e një njeriu të vetëm mund të shkaktojë shembje të tjera dheu.

Ndërkohë që policia vazhon të kërkojë administratorin e firmës që shkaktoi shembjen e dheut, Bujar Hasen, ish-prefekt. Të dhënat policore nuk tregojnë se ai është larguar nga vendi, por as në banesën e tij private nuk gjendet.

Hetimet paraprake dalin në përfundim se është gërmuar më tepër nga normat e caktuara dhe sa ishte parashikuar në projektin fillestar.

Nisur edhe nga dëshmitë e punëtorëve dhe të inxhinierëve të shoqëruar të shtunën në mesditë, firma po gërmonte më thellë dhe për këtë arsye dyshimet për fajësinë shkojnë tek administratori.

Kryetari i Bashkisë Tiranë në një dalje publike tha se janë marrë masa për këtë rast dhe premtoi një zgjidhje të shpejtë.

Herët të shtunën, të 34 familjet u evakuuan dhe ndalohen të banojnë në dy pallatet që rrezikojnë shembjen. Ende nuk dihet se kur do nisin punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor të shembur.

“Ai është një problem që po menaxhohet nga Emergjencat Civile dhe prefekti. Ne sigurisht që jemi prezent aty me Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit. Në fakt përveç atij pallati, e gjithë zona ka nevojë për një studim. Janë leje që janë dhënë nga Komuna Farkë në katër vitet e fundit dhe një pjesë e madhe janë shndërruar në gropa pa pasur investimin e nevojshëm. Ne diskutim me prefektin dhe me Emergjencat Civile po presim që të prodhojmë një projekt se si mund të bëjmë rehabilitimin e asaj rruge. Ajo leje nuk do të zbatohet sa të jem unë në krye të bashkisë”, tha Erion Veliaj.

Top Channel