Mitrovicë, lëndohet një punëtor ndërtimi nga shpërthimi

29/11/2015 00:00

Një punëtor është lënduar në Mitrovicën e Veriut nga një shpërthim. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 së të dielës në lagjen “3 rrokaqiejt”.

Kjo është konfirmuar nga Besim Hoti, zyrtar për informim i policisë së Kosovës për Mitrovicën veriore, i cili tha se si pasojë nga grimcat e shpërthimit ka mbetur i lënduar një punëtor i një kompanie shqiptare.

Mësohet se personi i lënduar është me kombësi shqiptare dhe pas trajtimit mjekësor është jashtë rrezikut për jetë. Hoti tha se ende nuk dihet lloji i mjetit shpërthyes dhe as motivi. Ai shtoi se njësitet kompetente të policisë janë në vendin e ngjarjes, ku edhe po zhvillohen hetimet për zbardhjen e rastit.

Ndërsa sipas “Kosovapress”, shkaku i këtij shpërthimi ka të bëjë me tenderin për fasadat e tre rrokaqiejve dhe autorë janë dy persona me kombësi serbe.

“Tenderin për fasadat e tre rrokaqiejve e ka marrë një kompani, pronar i së cilës është një shqiptar nga jugu i Mitrovicës dhe jo kompania tjetër nga veriu dhe në shenjë revolte për këtë dikush ka urdhëruar hedhjen e kësaj bombe atje”, ka cituar burimin “Kosovapress”.

Top Channel