Festa e flamurit në Belgjikë, kostum kombëtar për simbolin e Brukselit

29/11/2015 00:00

Për herë të parë “Manneken-Pis”, simboli i shpirtit rebel për qytetin e Brukselit që shpëtoi i padëmtuar nga bombardimet e shekullit të 17, mbante veshur kostumin kombëtar shqiptar, i porositur enkas në Tiranë me përmasat e skulpturës së 1619-s, për ditën e Flamurit.

Philippe Close, drejtor i Turizmit në komunën e Brukselit: Sot “Manneken-pis” do jetë “Manneken-plis”.

Ndërsa motivet veriore shquhen në dhuratën e Ambasadës shqiptare, komuniteti shqiptar në Belgjikë përgatiti dhe një kostum të dytë me motive të labërisë për “Manneken-Pis”, i cili numëron tashmë 943 kostume tradicionale nga vende të ndryshme të botës dhe me mijëra vizitorë çdo ditë.

Suela Janina, ambasadore e Shqipërisë në BE dhe Belgjikë: Dua të falënderoj duarartin Leka, i cili ka përgatitur këtë kostum, duke na bërë të gjithëve krenarë me këto vlera kaq të bukura, që arritëm t’ia transmetojmë sot qytetit të Brukselit, komunitetit shqiptar dhe turistëve që ndodhen sot këtu, për të parë sesa të bukur e kemi traditën dhe vlerat tona kombëtare.

Philippe Close, drejtor i Turizmit në komunën e Brukselit: Idea erdhi nga kolegu i Parlamentit, Amet Gjana, i cili më pyeti nëse ‘do të ishte interesante, që “Manneken-Pis” të kishte një kostum tradicional shqiptar’. Ne kemi një komunitet të madh shqiptar në Bruksel dhe, si përgjegjës i Komunës  së Brukselit, mendova se ishte e rëndësishme që të dy komunitetet të ndërthureshin. Në të vërtetë, “Manneken-pis” është simbol i Brukselit dhe, duke e parë me këtë kostum, është një moment vëllazërie dhe shkëmbimi i rëndësishëm.

Amet Gjanaj, deputet i Brukselit: Në vitet e tjera nuk do të kemi më nevojë për ceremoni. Komuniteti ynë ka 60 vite që është në Belgjikë dhe ky është një hap madhor e cilësor për integrimin e komunitetit. Tregon se kemi vlera shumëshekullore dhe treguam tolerancën e mendësinë e një komuniteti të hapur ndaj komuniteteve të tjera në Belgjikë.

“Dita e Shqipërisë” nisi me ceremoninë e posaçme në katedralen e qytetit, që ende kërcënohet nga sulmet terroriste, teksa autoritetet vendase anuluan disa aktivitete të parashikuara nga komuniteti shqiptar, për të shmangur grumbullimet.

Megjithatë, në prani të forcave belge të rendit, atmosfera festive u gjallërua me vallet e të rinjve të shoqatës “Vatra” dhe këngët e grupit polifonik  “Jonianët”, të ftuar enkas në Bruksel. Veprimtaritë festive vijuan më pas në ambientet e Ambasadës, ku u paraqitën fotot fituese të konkursit “Colours of Albania” dhe ekspozita “legjendat shqiptare”, me punimet e autorit Gjergj Kola.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel