“Dita pa Makina”, Veliaj: Sheshi Skënderbej, krejtësisht pedonal

29/11/2015 12:50

Në ditën e çlirimit të vendit, Bashkia e Tiranës riktheu “Ditwn pa Makina”, duke ua lënë tërësisht sheshin Skwnderbej këmbësorëve apo biçikletave. Kreu i bashkisë Erion Veliaj njoftoi se ky është fillimi i asaj që vitin që vjen do të kthehet në pedonale të përhershme për qytetarët e Tiranës.

“Zakonisht sheshi pushtohet nga makinat, ndërsa sot është pushtuar nga fëmijët, nga biçikletat dhe nga ata që duan të ecin. Në fakt, kjo i paraprin projektit tonë për sheshin “Skënderbej“. Vitin tjetër, ky shesh do të kthehet në pedonale”, tha Veliaj.

Por më parë, Veliaj thotë se do të nisë puna për Unazën e Vogël, çka, siç shprehet ai, do të zgjidhë problemin me trafikun, ndërsa në sheshin “Skënderbej” bashkia do të shtojë hapësirat e gjelbra: “I gjithë ky shesh i madh, ju e dini fare mirë, sidomos gjatë kohës së verës, është shumë i nxehtë për t’u kaluar vetëm në një shesh pa gjelbërim. Por, para se të fillojmë me sheshin, do të fillojmë me Unazën e Vogël, që kalon mbas Operas dhe Hotel Tiranës. Qeveria dhe Kryeministri kanë miratuar shpronësimet aty dhe besoj se, duke zgjidhur edhe çështjen e trafikut, jemi gati të fillojmë punimet në shesh“.

Në këtë ditë kur bashkia organizon edhe “Natën e Bardhë“ do të ketë 40 aktivitete që do të kulmojnë me koncertin e këngëtarit anglez John Newman, ndërsa lokalet kanë leje 24-orëshe për të vijuar punën edhe gjatë natës.

Top Channel