71-vjetori i Çlirimit, Nishani dhe Rama nderojnë dëshmorët e kombit

29/11/2015 10:20

Ceremonia përkujtimore e 71-vjetorit të Atdheut dhe radhitjes së Shqipërisë mes vendeve fitimtare të Luftës së Dytë Botërore ka nisur me masa të rrepta sigurie.

Të gjithë pjesmarrësit në hyrje të Varrezave të Dëshmorëve të Kombit janë kontrolluar rreptësisht nga shërbimet e Gardës së Republikës.

Të parët që kanë vendosur kurora me lule ishin Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama. Në mungesë të kreut të Kuvendit Ilir Meta, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, homazhet i kreu nënkryetarja Valentina Leskaj.

Ceremonisë iu bashkua edhe ambasadori i Serbisë, së bashku me homologun e tij të Ambasadës së Vatikanit.

Në emër të LSI-së, Sekretari i Përgjithshëm Luan Rama dha këtë mesazh: “Nderimi për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për ata që sakrifikuan jetën për çlirimin e atdheut, është detyrim i brezave dhe betimi ynë për ta patur ëndrrën e tyre busull orientimi për të bërë më të mirën për Shqipërinë evropiane”.
 
Kur u pyet nga Top Channel nëse është e turpshme që njëra palë e feston ditën e Çlirimit në datën 28 dhe tjetra në datën 29, Luan Rama u përgjigj: “Është shenja tipike e pafytyrësisë politike dhe e sjelljes hipokrite. Raste të tilla nxjerrin lakuriq në sytë e popullit ata që vijnë këtu dhe e bëjnë homazhin për hipokrizi. Janë ata që i kanë rivrarë dëshmorët me qëndrimin e tyre”.

30 minuta pas përfundimit të ceremonisë zyrtare, më shumë se 100 mbështetës të Partisë së Punës, marshuan drejt Varrazeva të Dëshmorëve të Kombit për të kryer edhe ata nderimet e rastit.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel