Kosovë, opozita në aksion simbolik “për Republikën”

25/11/2015 00:00

Aktivistë të tri subjekteve opozitare në Kosovë kanë zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë, ku kanë vendosur edhe një moto me mbishkrimin “Për Republikën”.

Zyrtarë të partive opozitare thanë pas këtij aksioni se, manifestimi protestues i ftuar për datën 28 nëntor do të jetë paqësor, ndaj u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Përfaqësuesit e partive folën edhe për deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa, i cili një ditë më parë foli për mundësinë e tërheqjes së marrëveshjeve, nëse ato janë antikushtetuese.

“Çdo ditë e më tepër po shihni se po zbutet retorika e këtij pushteti. Ky rezultat është i gjithë asaj pune të bërë, si në Kuvend edhe jashtë tij, për të treguar në të vërtet sesa të dëmshme janë këto marrëveshje për Republikën tonë. Neve na vjen mirë që kanë filluar ta kuptojnë edhe ata këtë gjë”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, VV.

“Është mirë që qeveria po reflekton më në fund, sepse ju e dini që kur opozita ka filluar kundërshtimin, kjo temë ka qenë një tabu. Ju e dini se, të gjithë qeveritarët kanë thënë se asnjë milimetër tokë nuk po i falej Malit të Zi, ndërsa tashmë, nga debatet televizive dhe nga paraqitjet e ekspertëve të ndryshëm po del se, me këtë demarkacion po i falen afërsisht 10 mijë hektarë Malit të Zi. Tashmë e kanë parë edhe ata, sesa i vërtetë ka qenë ky kundërshtim i opozitës dge sa i drejtë është”, tha Time Kadrijaj, AAK.

Aksioni i të rinjve të opozitës u shoqërua nga Policia e Kosovës, e cila nuk lejoi që mbishkrimi të vendosej në rrethimet e oborrit të qeverisë, por as nuk i pengoi aktivistët, që aksionin e tyre ta përfundonin jashtë tyre.

Top Channel