Sekretari Kerry, vizitë në Europë e Ballkan; shmanget Shqipëria

24/11/2015 00:00

Përmes një komunikate të orëve të vona të së martës, Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se Sekretari John Kerry do të zhvillojë në tur vizitash në Europë dhe veçanërisht në Ballkan.

Mësohet se ndalesa e parë e kryediplomatit amerikan Kerry do të jetë në Paris, më 30 nëntor, për t’iu bashkuar Presidentit Barack Obama në punimet e “COP-21” në kryeqytetin francez.

Menjëherë pas kësaj, Kerry do të ndalet në Bruksel më 1 dhjetor, për të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s, ku marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të aleancës.

Një ditë më pas do të fillojë edhe turi ballkanik. Më 2 dhjetor ndalesa e Kerryt është në Prishtinë, ku do të takohet me qeveritarë të lartë për të diskutuar çështje dypalëshe dhe ato me rëndësi rajonale. Por, larg vëmendjes së tij nuk do të mbetet Beogradi, ku Kerry do të marrë pjesë në Këshillin e ministrave të OSBE-së më 3 dhjetor, përveç takimeve me përfaqësues të shoqërisë civile nga OSBE.

Shqipëria nuk figuron në këtë tur udhëtimesh, pasi nga Serbia, Kerry do të shkojë në Nikosi të Qipros, ku sigurisht çështe qëndrore do të jetë bashkimi i mundshëm i dy Qiprove, në takimet me krerët e Qipros greke dhe asaj turke.

Pas ndalesës në ishull, Sekretari amerikan do të përfundojë udhëtimet e tij me Athinën, më 4 dhjetor, ku do të diskutohen çështje dypalëshe e rajonale me qeverinë greke, pa harruar çështjet e emigracionit dhe krizën e refugjatëve, por duke mos lënë mënjanë progresin e reformave ekonomike.

Top Channel