Kodi i Etikës së policisë, Tahiri: Kushtetuta e policisë

20/11/2015 10:20

Policia është duke u njohur me projektligjin e ri të Kodit Etik. Ministri i Brendshëm përpara studentëve dhe trupës policore u shpreh se të gjithë duhet t’i nënshtrohen rreptësisht këtij kodi.

“Policia e Shtetit nuk mund të instalojë besimin te publiku në rast se nuk mund të instalojë standardet më të larta të performimit në detyrë. Dhe në qoftë se të luftosh krimin është një gjë, të luftosh veset dhe problemet brenda Policisë së Shtetit, është një gjë tjetër, sipas meje po aq e rëndësishme. Ky kod është kushtetuta etike e punonjësve të policisë. Dhe është kjo arsyeja pse lind detyra për secilin prej jush dhe për menaxhimin e Policisë së Shtetit që nëpërmjet trajnimeve intensive ky kod të brendësohet dhe të kthehet në modelin standard të punës për secilin punonjës policie. Kjo do të thotë që ta fillosh nga sjellja personale. Ne e dimë që qytetarët nuk do të donin të shihnin një punonjës policie në rrugë që pi duhan. Ne e dimë që qytetarët absolutisht nuk do të donin të shihnin një punonjës policie që në detyrë, luan bixhoz! Ne e dimë që qytetarët nuk do të donin të shihnin një punonjës policie në detyrë që nuk respekton uniformën e tij”, tha Tahiri.

Ndërsa ambasadori amerikan lu duke vlerësuar kodin tha se, do të ishte e pakuptimtë nëse policët shqiptarë, nuk do ta respektonin këtë kod të fortë sjelljeje.

“Policët janë shembull për një brez të tërë fëmijësh. Ky është një kod shumë i fortë sjelljeje. Do të ishte i pakuptimtë nëse policët nuk e kuptojnë dhe nuk diskutojnë për të”, tha Lu.

Ministri i Brendshëm kërkoi gjithashtu të vëjë në funksion praktikën e policive të vendeve partnere, të denoncimit të korrupsionit nga brenda radhëve të policisë.

“Mua nuk më vjen mirë që deri më sot nuk e kemi kalitur sa duhet instinktin e të ruajturit njëri-tjetrin larg nga korrupsioni. Njoftimet e punonjësve të policisë për praktika korruptive në institucionin ku punojnë, janë thuajse zero! Kjo nuk do të thotë që ju pajtoheni, por do të thotë që duhet rritur vetëdija për ruajtur njëri tjetrin nga çdo ves apo nga çdo problem apo qasje kriminale që mund të cenojë punën e gjithsecilit prej jush. Ne kemi bërë shumë këto dy vjet për të rritur besimin e publikut te Policia e Shtetit”, tha Tahiri.

Top Channel