Lejet e ndërtimit ende të bllokuara, Qeveria: Vetëm në bashkitë me plan rregullues

18/11/2015 00:00

Qeveria do të vazhdojë të mbajë të bllokuara lejet e ndërtimit për bashkitë që nuk kanë plan vendor, edhe pse kjo ka përkeqësuar me 35 vende pozicionin e Shqipërisë në raportin mbi klimën e biznesit të Bankës Botërore.

Ministrja e Zhvillimit Urban thotë se, kjo është kostoja që duhet të paguajë vendi, për kaosin e ndërtimeve informale të ngritura në këto 25 vite. Por demokratët akuzojnë qeverinë se, po përdor këtë vendim për të dhënë leje ndërtimi për klientët e saj.

“Kemi një bllokim total të ndërtimeve dhe dhënien me pikatore, sipas oreksit të monarkut për sarajet te liqeni, apo në territorin e Tiranës për ato 5 ndërtues. Ky është një element antikushtetues, që ka bërë që ju të mbani flamurin e e përkeqësimit të klimës së të bërit biznes në Shqipëri, zonja ministre”, tha Elidon Bushati, deputet i PD.

“Bashkitë Shkodër, Tiranë, Durrës, Himarë, Lushnje, Berat, Kamëz, Fier, Vorë, Mamurras, Rrogozhinë, Fushëkrujë, Bulqizë, Korçë duhet të pranojnë për shqyrtim dhe miratim të gjitha kërkesat për leje zhvillimore ndërtimi, në përputhje me planin e miratuar dhe dispozitat ligjore e nënligjore në fuqi. Për të gjitha zonat e territoret e bashkive të tjera duhet të merren në shqyrtim vetëm kërkesat për leje për infrastrukturë, struktura publike, etj.”, tha Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban.

Ministria e Zhvillimit Urban prezantoi në komision 3 plane të rëndësishme kombëtare; planin e Përgjithshëm kombëtar, atë të Bregdetit dhe Planin për Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës, të njohur me emrin “Durana”. Sipas qeverisë, këto plane synojnë t’i japin fund zhvillimit kaotik dhe të zhvillojnë territorin në mënyrë të qëndrueshme për 10 deri 15 vitet e ardhshme.

Top Channel