Kosovë, policia arreston deputeten e AAK-së, Donika Kada Bujupi

18/11/2015 09:25

Mëngjesin e së mërkurës është arrestuar deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, në dalje të shtëpisë së saj. Arrestimi i saj ka ardhur pasi një ditë më herët Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest për deputeten në fjalë dhe deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Prokurori i rastit ka kërkuar 30 ditë paraburgim për deputeten Kadaj-Bujupi, me arsyetimin se mund të përsëritet vepra dhe për shkak të peshës së veprës e cila supozohet se është e rëndë, ndërsa e ka cilësuar si armë apo mjet të rrezikshëm tymin e hedhur në Kuvend.

Arianit Koçi, avokat i deputetes, u shpreh: “Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh. Unë mendoj se nuk ka bazë ligjore. Së pari, duhet të konstatohet tymi i cili është paraqitur në Parlament, a është armë apo mjet i rrezikshëm siç e ka cilësuar Prokuroria. Duhet të shihet a ka bërë ekspertizë dhe në çfarë bazohet ekspertiza”.

Në kohën kur deputetja Kadaj-Bujupi ishte në ambientet e gjykatës, zyrtarë të AAK-së kanë takuar kryetarin e Gjykatës Themelore. Pas takimit, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se arrestimi ka ndodhur pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, duke shtuar se nuk do të pranojnë asnjë vendim që është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në anën tjetër, njësitë speciale të Policisë së Kosovës, për disa orë kanë rrethuar objektet ku jetojnë deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të cilat edhe i kanë bastistur, por nuk kanë arritur t’i arrestojnë deputetët, pasi ata nuk u gjetën në shtëpi.

Në hyrjen e pallatit ku jeton Albin Kurti nuk është lejuar asnjë lëvizje përveç hetuesve dhe pjesëtarëve të policisë. Në momentin kur forcat policore kishin mbaruar punë dhe po largoheshin, ata janë sulmuar me mollë nga ballkonet. Kjo bëri që policia të kthehej përsëri brenda pallatit, por nuk pati asnjë të shoqëruar.

Procedura e njëjtë e bastisjes ishte edhe në pallatin e Albulena Haxhiut, në derën e së cilës, pas bastisjes, policia ka lënë një porosi me mbishkrimin “Çelësin e keni në Stacionin Policor Qendra”.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA