Tiranë, Këshilli Bashkiak miraton vendimin për parkingjet me pagesë

11/11/2015 00:00

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar mbrëmjen e së mërkurës vendimin për parkingjet me pagesë. Pas një debati që ka zgjatur për rreth 3 orë, Këshilli ka votuar projektin në fjalë, që përcakton tarifat e parkimit, vetëm me votat e mazhorancës.

Këshilltarët opozitarë e kanë bojkotuar votimin. Ndërkohë që me të njëjtat vota janë miratuar edhe pikat e tjera të rendit të ditës, mes të cilave ajo për rritjen e rrogave të administratës së bashkisë.

Në fjalimin e tij në hapje të seancës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi si një domosdoshmëri çështjen e menaxhimit të parkingjeve përmes një agjencie, në mënyrë që të ardhurat e siguruara nga ky shërbim publik t’i shkojnë bashkisë dhe të përdoren më tej për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Veliaj solli si shembull projektlin pilot të parkingut tek sheshi “Italia”, të ardhurat e të cilit kanë kapur shifrën e rreth 1 mijë eurove në ditë, apo 30 mijë euro në muaj për Bashkinë e Tiranës.

“Ju i keni parë ca njerëz që vijnë vërdallë dhe marrin para cash nga njerëzit për t’u parkuar makinat. 1 mijë euro në ditë fitim bashkisë nga parkingu te sheshi ‘Italia’, një projekt pilot që rezulton një histori suksesi. Një tjetër projekt pilot është ai në rrugën ‘Dritan Hoxha’, ku kemi edhe një korsi për urbanin dhe një për biçikletat. Lajmi i mirë është për rezidentët, të cilët e kanë parkimin falas. Sheshet e pallateve ishin kthyer në sheshe për shitje automjetesh, ndërkohë që të ardhurat do t’i shkonin qytetit. Vende shumë më të sofistikuara se ne i kanë bërë këto debate, por nuk i kanë politizuar”, tha Veliaj.

Sa u takon tarifave, Bashkia aktualisht ka vetëm një regjim, atë për 3 mijë vende me 1.000 lekë ora, ndërkohë që sipas Veliajt, kryeqyteti duhet të ketë disa paketa tarifimi, për shembull: kur rri 5 orë paguan 2 mijë lekë.

Ndaj këtij propozimi reaguan ashpër anëtarët e djathtë të këshillit. Fabian Topollaj akuzoi kreun e bashkisë se me këtë vendim po merr në pronësi asetet e qytetit të Tiranës për t’i shfrytëzuar në mënyrë private. Me këtë akt, sipas tij, i hiqen kompetencat Këshillit Bashkiak, pasi zonat se ku mund të parkohet janë kompetencë e këtij organi.

“Me këtë ligj biem dakord që poshtë pallateve, qytetarët e Tiranës të paguajnë 1 mijë lekë ora në disa zona dhe 400 taksa ora në disa vende të tjera. Ky vendim i kryetarit të bashkisë vjen në një moment ku varfëria është trefishuar sipas BB”, tha Topollaj.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Bashkiak kërkuan mosmiratimin e këtyre dy pikave, të cilat i cilësuan si një grabitje që i bëhet qytetarëve.

“Meqenëse përfaqësuesit tanë në komisione kanë kërkuar sqarime në raport me dy aktet “tullumbace” që na janë paraqitur, me disa elementë shumë të bukur, por nuk është dhënë asnjë shpjegim. Meqenëse ky është një akt që i kalon kompetencat edhe nga pikëpamja ligjore dhe nga pikëpamja sociale, pasi është një gjobëvënie e pastër, ju kërkojmë që t’i shtynin këto çështje për rishikim”, u shpreh Leonard Olli, kreu i grupit të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Me vendimet e miratuara tashmë nga Këshilli Bashkiak, Tirana do të ndahet në tre zona, A, B dhe C ku rrugët kryesore do të shndërrohen në parkingje me pagesë, por duke ruajtur dhe hapësira të lira në varësi të akseve rrugore. Pagesat e miratuara variojnë nga 50 lekë për 3 orë në zonën C, që është dhe periferia e Tiranës dhe deri në 200 lekë për 3 orë në qendër të kryeqytetit, e cila është emërtuar dhe si zona A.

Top Channel