Tiranë, dëmtohen fidrat e energjisë, zona e Kasharit 6 orë në terr

11/11/2015 00:00

Dëmtimi i kabllove të tre fidrave të energjisë elektrike me fuqi 20 kv ka lënë këtë të mërkurë për rreth 6 orë në terr zonën e Kasharit, në Tiranë.

Energjia u ndërpre rreth orës 14:00. Në një komunikim me mediat OSHEE bëri të ditur se, dëmtimi erdhi si pasojë e ndërhyrjes në rrjet të një individi “të papërgjegjshëm”, në mënyrë private.

Specialistët e OSHEE shkuan në vendin e ngjarjes dhe pas verifikimit të dëmit punuan me intensitet për riparimin e tij. Fidrat e dëmtuara ishin ato me numrat 16, 17 dhe 18, që dalin nga nënstacioni 110 prej 20 kv i Kasharit.

Zonat që mbetën pa energji ishin: Pallatet në fushën Misto Mame, Yzberishti, Pallatet Giron dhe Unaza e Re. Ndërsa numri i abonentëve mbetën gjatë gjithë pasdites dhe orëve të para të mbrëmjes në terr rezulton 18.700.

OSHEE bëri gjithashtu të ditur se e ka denoncuar në komisariatin përkatës të policisë incidentin, ndërsa kjo e fundit ka nisur hetimin për identifikimin e përgjegjësit. 

Top Channel