Rama: Skanimi për fasonët do paguhet nga qeveria

11/11/2015 00:00

Duke vizituar një sipërmarrje fasoni në Tiranë e ngritur 1 vit më parë, kryeministri Edi Rama e cilësoi si një histori suksesi për shumëfishimin e vendeve të reja të punës.

“Brenda një viti jemi rritur, kemi filluar me 60 punonjës para një viti, sot jemi me 600. Qeveria na ka mbështetur. Zyrat e punës kanë qenë bashkërendëse në këtë drejtim dhe na kanë ndihmuar shumë duke na sjellë punonjës me eksperiencë. Kemi gjetur mbështetjen fiskale të qeverisë”, u shpreh sipërmarrësi.

Ndërsa sipërmarrësi italian Fabio Attanassio, me një eksperiencë 15 vjeçare në këtë sektor u shpreh se ai parashikonte që brenda një periudhe 2-vjeçare të arrinte në 3500 të punësuar.

“Produkti ynë shkon në Kanada, Gjermani Amerikë dhe jemi të nderuar të prezantojmë Shqipërinë me markën Made in Albania,” u shpreh Attanassio.

Sipërmarrësit e këtij biznesi thanë se në rritjen e shpejtë të kësaj sipërmarrje kanë ndikuar bashkëpunimi me zyrat e punës, lehtësitë fiskale, në mënyrë të veçantë heqja e tvsh-së për makineritë e importuara.

Kryeministri Rama u shpreh se qeveria do të jetë përkrah biznesit, duke nxitur me politika të reja zhvillimin e tij.

“Me buxhetin e ri ne do të mbrojmë të gjithë manifakturën nga fatura e skanimit në dogana, të cilën do ta paguajë shteti për të vazhduar eksportet dhe për të vazhduar që manifaktura të rritet sepse ka një potencial shumë të madh Shumë njerëz e marrin si një punë të një kategorië të ulët, po në fakt ajo që shohim ne është krijimi i një cikli të mbyllur”, tha Rama.

Top Channel