Ja pse dështoi Kosova në UNESCO

10/11/2015 00:45

Veç konjukturave dhe lobimeve pro dhe kundra anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duket se shkaku i mos anëtarësimit të saj në këtë organizatë nuk është vetëm ky.

Duke ju referuar listës zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ky shtet deri më tani njihet prej 111 vendesh, shifër kjo që normalisht pritej të arrihej edhe në votimin e së hënës.

UNESCO nga ana e saj ka 195 vende anëtare, por jo të gjitha me të drejtë vote. Dhe pikërisht këtu mund të gjendet dhe arsyeja e mosarritjes së votave të nevojshme (95) që i duheshin Kosovës.

Sipas rezultatit zyrtar, pro votuan 92 shtete. Të gjitha ato e njohin pavarësinë e Kosovës. 50 votuan kundër dhe ishin vende që nuk e njohin Prishtinën. Ndërsa 29 anëtarë të tjerë abstenuan, mes tyre 9 shtete që e njohin Pavarësinë, mes tyre Polonia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Egjipti.

Por në votim nuk morën pjesë 15 vende, 4 prej të cilëve e njohin Kosovën si shtet. Dhe ajo që duket se ka bërë diferencën, është heqja e të drejtës së votës për 6 shtete që e njohin Pavarësinë, mes tyre dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat lobuan fort për anëtarësimin. Po ashtu pa te drejtë vote ishte edhe Izraeli. Kjo pasi këto dy shtete kanë refuzuar që në vitin 2011 që të paguajnë detyrimet financiare në këtë organizatë, vendim ky që erdhi pas anëtarësimit të Palestinës në UNESCO. Ky veprim i tyre bëri në 2013-ën t’u hiqej e drejta e votës.

Top Channel