Ministrat e Financave të Eurogrupit që janë mbledhur në mbremjën e së hënës në Bruksel, i kanë dhënë Greqisë 5 ditë afat për të përfunduar reformat e kësaj faze në mënyrë që të marrë këstin e parë prej 2 miliardë euro nga paketa e ndihmës për Athinën.

Ka përparim, por ende qeveria Tsipras nuk ka implementuar gjithë reformat e kërkuara në këtë periudhë dhe kjo rrezikon rikapitalizimin e bankave me të pakten 10 miliardë euro, ka qenë mesazhi i kreut të Eurogrupit.

“Varet nga hapat që po merren për bankat dhe menaxhimin e tyre. Dy miliardët do të paguhen vetëm nëse institucionet japin dritën jeshile dhe thonë se të gjitha reformat për të cilat është rënë dakord, janë zbatuar. Kjo ende nuk ka ndodhur”, deklaroi kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

Një prej pikave kyçe që kreditorët kërkojnë prej Athinës janë kreditë e këqija për të cilat vetë kryeministri Tsipras ka premtuar se nuk do të lejojë që të ketë qytetarë të cilët do të humbasin nga mospagesa e kredive, shtëpinë e tyre të parë.

Por, huadhënësit nuk pranojnë të bëjnë lëshime në këtë pikë pasi kreditë e këqija në vend kanë arritur në 107 miliardë euro ose në 50% të kredive bankare në vend, një situatë tepër e rrezikshme sipas BQE-së.

Bankat kanë deklaruar se do të propozojnë zgjidhje për huamarrësit në mënyrë që të fillojnë të shërbehen këto kredi të cilat janë të ngrira, për arsye të disa dispozitave ligjore të miratuara në muajt e kaluar.

BE, BQE, FMN dhe ESM (Mekanizmi Europian i Stabilitetit)  miratuan në gusht një paketë ndihme për Greqinë me vlerë prej 86 miliardë euro në këmbim të një drafti prej 48 reformash të cilat mbeten pezull për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në shtator dhe deri më tani Athina ka zbatuar më pak se 1/3-ën e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA