Korçë, Rama përuron terrenin sportiv dhe stacionin e biçikletave

08/11/2015 00:00

Takimet jashtë Tiranës, kryeministri Edi Rama po i shfytëzon për të vënë në dukje disa investime të qeverisë për të rinjtë.

I tillë është një terren sportiv i sapondërtuar në një nga shkollat e Korçës, që përveç nxënësve mund të shfrytëzohet, pas orëve të mësimit, edhe nga komuniteti.

Një fushë volejbolli dhe basketbolli, dy fusha tenisi, si dhe dy fusha të mëdha shahu përbëjnë një investim, që sipas objektivit të qeverisë, do ta përfitojnë edhe shumë shkolla të tjera.

“Janë 44 mjedise sportive komunitare, ky është një nga këto mjedise. Sigurisht, po të mos na ishte dashur të lanim rreth 35 milionë dollarë borxhe të trashëguara, që Ministria e Arsimit i kishte nga e shkuara për shërbimin e kompanive, atëherë do të kishim bërë edhe afro 200 mjedise të tjera më shumë. Ndërkohë që do të vazhdojmë me këtë sistem edhe në vitet në vijim”, ka thënë Rama.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, anëtarët e qeverisë kanë marrë në patronazh secili nga një shkollë, por mesa duket këta të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, “Raqi Qirinxhi” në Korçë dhe “Petro Nini Luarasi” në Tiranë janë më me fat se të tjerët.

Aktiviteti, që u zhvillua mes dy shkollave këtë të shtunë, në terrenin e ri sportiv në Korçë, vitin e ardhshëm mund të zhvillohet në Tiranë.

“Besoj se vitin e ardhshëm, falë ndërhyrjes që do të bëjmë te “Petro Nini” i Tiranës, do të jetë e mundur që të ndodhë e njëjta gjë edhe atje, e kështu me radhë. Për ne, sporti ka rëndësi të madhe në programin e arsimit, ndaj dhe do të vazhdojmë të fuqizojmë infrastrukturën e sportit, pasi e kemi futur atë në të gjithë zinxhirin e arsimit si program edukativ”, theksoi më tej kryeministri Rama.

Në Korçë është përuruar edhe një mjedis tjetër, që e bën qytetin edhe më miqësor për ambientin dhe për turistët vendas e të huaj. Stacioni i ri për biçikletat, në Parkun “Rinia” në Korçë, ishte projekt fitues i konkursit “Ëndrra ime”, një nismë qeveritare që mbështet financiarisht idetë inovative të të rinjve.

Top Channel