Kosova në KiE, Leskaj debaton me përfaqësuesen serbe

04/11/2015 19:35

Përmes Valentina Leskajt, Shqipëria kërkoi në Komitetin Politik të Këshillit të Europës, anëtarësimin me të drejta të plota të Kosovës në këtë organizatë.

Këtë artikulim, nënkryetarja e Kuvendit e bëri gjatë debatit të Komitetit Politik për çështjen e Kosovës, që u mbajt në Paris dhe ku u lexua raporti për këtë vend nga raporteri Agustin Conde.

Gjatë kësaj séance, zonja Leskaj ka replikuar ashpër me të dërguarën e Serbisë në Këshillin e Europës. Kjo e fundit ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, duke e cilësuar si një vend të krimit dhe korrupsionit, mungesës së stabilitetit politik, duke sjellë si shembull zhvillimet në Parlamentin e këtij  vendi, e duke e cilësuar Kosovën si vendin ku shkelen të drejtat e njeriut, duke iu referuar të drejtave të serbëve dhe romëve. Por nënkryetarja e Parlamentit, Leskaj e ka kundërshtuar.

“Çfarë dëgjova këtu nga kolegia serbe më vë përpara pyetjes se gjuha e përdorur në Këshillin e Europës, nëse kontribuon për paqen dhe stabilitetin, për dialogun, zgjidhjen apo për konfliktin. Unë do të shpresoja se ky nuk është qëndrim zyrtar dhe se nuk jemi këtu t’i tregojmë gishtin njëri-tjetrit, por do gjejmë mundësitë e të kontribuojmë për dialog, paqe dhe stabilitet te rajoni dhe ky është roli i Këshillit të Europës”, tha Leskaj.

Në mbështetje të kërkesës së parë të kësaj natyre në Komitetin Politik të Këshillit të Europës për domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota në këtë organizatë, zonja Leskaj ka renditur një sërë zhvillimesh pozitive të shtetit kosovar.  Zgjedhjet e fundit, tha ajo, ishin provë e maturimit të shoqërisë dhe politikës së këtij vendi. Nënshkrimi i MSA-së dhe ratifikimi i menjëhershëm nga Parlamenti i këtij vendi, ishin shprehje e qartë e vullnetit për të ecur në rrugën europiane, shtoi zonja Leskaj.

Bashkë me zhvillimet pozitive të ekonomisë, nënkryetarja e Parlamentit të Shqipërisë renditi edhe vendimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në Këshillin e Europës do të ishte një nxitje dhe inkurajimin për Kosovën dhe popullin e saj në rrugën e integrimit të saj europian. Ky hap është i rëndësishëm për stabilitetin e mbarë rajonit dhe perspektivën europiane të të gjithë vendeve të rajonit”, tha Leskaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA