Kosovë, ratifikohet MSA; opozita braktisi seancën

02/11/2015 00:00

Me 86 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, por pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku u zotuan se Qeveria do të punojë me përkushtim në zbatimin e MSA-së.

“Mendoj se kjo e sotmja është një ditë shumë e madhe për ne, sepse kemi të bëjmë me një dokument tepër të rëndësishëm për Kosovën. MSA është një kontratë shumë e rëndësishme për ne. Ne duhet të punojmë me të gjithë qytetarët tanë dhe institucionet tona, por edhe me ekonominë dhe shoqërinë civile, sepse të gjithë së bashku kemi vendin tonë në realizimin e saj. Fryma e marrëveshjes është frymë e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Mungesa e partive opozitare, përjashto deputetin e nderuar Deda, si dhe mungesa e gazit lotsjellës nuk përbëjnë problem, sepse nuk janë të nevojshme për ta çuar Kosovën përpara. Ka kontradikta të mëdha midis deklaratave politike të partive opozitare sa i përket procesit të integrimit europian. Mirëpo janë qytetarët e Kosovës, ata që do të na gjykojnë më së miri, si neve që jemi të pranishëm këtu, edhe të atyre që nuk janë të pranishëm. Do të jetë koha, që do të dëshmojë se kush ka pasur të drejtë dhe kush ka bërë gabim të rëndë”, është shprehur Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian.

Në këtë seancë me vetëm një pikë të rendit të ditës, në fillim ishte e pranishme edhe opozita, por pas deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare, deputetët opozitarë u larguan nga salla dhe nuk morën pjesë në votim.

Ndërsa gjatë diskutimeve në seancë, përfaqësuesit e opozitës paraqitën shumë vërejtje për mënyrën e trajtimit të Kosovës në marrëveshjen e MSA-së.

“MSA-ja nuk u kushtëzua nga Bashkimi Europian me luftën ndaj korrupsionit. Ajo nuk erdhi për shkak se pati reforma të sistemit të drejtësisë, as për shkak se qeveria e depolitizoi administratën shtetërore. Përkundrazi, të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë se Kosova, në këto tri fusha fatkeqësisht ka shënuar hapa pas. MSA-ja erdhi vetëm për një arsye: për shkak të marrëveshjeve me Serbinë”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Vendimit të deputetëve të opozitës për të lënë sallën nuk i është bashkuar deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, i cili gjatë diskutimit tha se përfaqëson pjesën e opozitës dhe qytetarëve, që nuk pajtohen me qeverinë, por e mbështesin MSA-në, që – siç tha Deda, – e trajton Kosovën si shtet.

Në seancën e ratifikimit të MSA-së në Kuvend ishte e pranishme edhe Presidentja Atifete Jahjaga, por edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në Kosovë dhe ambasadorë të tjerë.

Presidentja Jahjaga, menjëherë pas ratifikimit të MSA-së ka lëshuar një deklaratë për mediat, përmes së cilës ka vlerësuar se përtej simbolikës së fuqishme të orientimit proeuropian, ratifikimi i MSA-së duhet të shihet si fillim i një përkushtimi institucional dhe shoqëror për reforma të thella, të cilat do të forcojnë demokracinë dhe do ta përmirësojnë nivelin e qeverisjes dhe standardin e jetesës për secilin qytetar.

Top Channel