Historianët e Kosovës, kundër igumenit serb të Deçanit

02/11/2015 00:00

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar ta shtyjë vendimin për pranimin e Kosovës në UNESCO. Lidhur me këtë ka reaguar Lidhja e historianëve të Kosovës, sipas të cilës ky është një mesazh i pamenduar mirë.

“Kur është në diskutim anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, nuk duhet që prijësit fetarë të prononcohen dhe të bëjnë deklarata politike, nga fakti se ata nuk kanë ndonjë mision apo përgjegjësi të tillë, por janë përgjegjës përpara institucioneve të tyre fetare, duke përfshirë këtu igumenin Janjiç dhe gjithashtu imamët e priftërinjtë”, thuhet në reagim.

“Deklarata e tij, e cila nuk mund të lexohet ndryshe vetëm si mospranim i Republikës së Kosovës në UNESCO, është shumë e papranueshme, sepse ai dhe të tjerët si ai jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, ku që nga 17 shkurti i vitit 2008, pothuajse në 95% të vendin sigurinë e ofron Policia e Kosovës, duke mos anashkaluar forcat ushtarake të KFOR-it. Gjithashtu e ndiejmë për detyrim, t’i bëjmë të ditur Janjiçit se, Manastiri i Deçanit nuk është trashëgimi kulturore e Serbisë, por trashëgimi kulturore dhe historike e Kosovës. Ne i bëjmë thirrje UNESCO-s të mos shtyjë vendimin për pranimin e Kosovës në mekanizmat e saj, por ta bëjë këtë brenda afateve të paracaktuara”, thuhet në deklaratën e Lidhjes së historianëve të Kosovës.

Top Channel