Krasniqi, leksione Veselit: Rregulloren e interpreton kreu i Kuvendit, jo këshilltarët

01/11/2015 00:00

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi këshillon kreun aktual, Kadri Veseli, sesi të sillet me deputetët e institucionit ligjvënës.

Në një postim në Facebook, Krasniqi kërkon nga kryetari Veseli që ta interpretojë vet ai dhe jo këshilltarët, rregulloren e punës së Kuvendit. Kjo pasi, sipas Krasniqit, këshilltarët e kryetarit janë për ta këshilluar dhe ndihmuar atë në punët dhe përgjegjësitë e tij të përditshme, por nuk janë këshilltarë të Kuvendit si institucion.

“Vetëm kryetari e përfaqëson Kuvendin si institucion përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës”, shkruan ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili sot është pjesë e subjektit politik “Nisma për Kosovën”.

“Këshilltarët e tu nuk kanë asnjë të drejtë t’ua interpretojnë rregulloren e punës së Kuvendit opozitës në tërësi dhe as deputetëve individualisht. Rregulloren e punës së Kuvendit e interpreton kryetari, e jo këshilltarët e tij”, thotë Krasniqi, i cili sqaron se për administratën e Kuvendit përgjigjet Sekretari i Kuvendit.

Ky reagim i Krasniqit vjen një ditë, pasi këshilltarja e kryeparlamentarit Veseli komentoi mbi të drejtën ose jo të udhëheqësve opozitarë, për të futur dosjet e peticionit të qytetarëve për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend.

Top Channel