Kampionatit amerikan të futbollit sezonin tjetër mund t’i bashkohet një tjetër yll i këtij sporti, Zlatan Ibrahimovic. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja franceze “L’Equipe”, sulmuesi suedez i PSG është vënë në shënjestrën e skuadrës së Miamit, pronar i së cilës është pikërisht David Beckham.
Ibrahimovic është drejt përfundimit të kontratës me kampionët e Francës dhe ka shumë të ngjarë që ai të mos e rinovojë atë dhe të vendosë transferimin e tij përtej oqeanit Atlantik për të provuar një aventurë të re.
Nga ana tjetër, vetë David Beckham dhe grupi i tij dëshirojnë që të bëjnë gjëra të mëdha. Pasi prezantoi projektin për stadiumin e ri që kushton 250 milionë dollarë, ish-mesfushori është gati të miratojë shpenzime të ndjeshme për të formuar një skuadër të madhe dhe Ibrahimovic duket se është qendra e projektit të tij.
Për këtë arsye, ish-kapiteni i përfaqësueses angleze ka hyrë në kontakte me suedezin, të cilin ai e njeh që nga periudha kur luanin së bashku në Paris. Mundësitë që Beckham ta bindë futbollistin të transferohet në Major League Soccer janë të mëdha, tani i takon Ibrahimovic të marrë vendimin përfundimtar.
Top Channel