Ahmetaj: Ekonomia ka hyrë në rrugë të qëndrueshme reformash

28/10/2015 11:15

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, deklaroi të mërkurën në një konferencë për shtyp se “ekonomia shqiptare ka hyrë në një rrugë të qëndrueshme reformash agresive që do të ndihmojnë konkurrueshmërinë”.

Kjo deklaratë erdhi pas raportit të Bankës Botërore mbi klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Në vështrimin e BB-së, klima e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2016 është përkeqësuar. Madje ky përkeqësim është i ndjeshëm pasi në krahasim më raportin e fundit Shqipëria ka zbritur 35 vende në renditjen përgjithshme mes 189 vendeve. Për klimën e të bërit biznes vitin e kaluar Shqipëria renditej në vendin e 62, por në renditjen e fundit tanimë vendi ynë renditet i 97-ti.

“BB-ja publikoi raportin “Doing Business”, ku Shqipëria renditet në vendin e 97. Kjo renditje ndikohet nga 2 indikatorë: dhënia e lejeve të ndërtimit e marrja e certifikatës së pronësisë dhe pagesa e taksave. Kjo renditje pritej nga qeveria jonë, për shkak të zhvillimeve të lidhura me këta indikatorë. Me reformën territoriale, është marrë vendimi për pezullimin e përkohshëm të lejeve të ndërtimit. Kjo është bërë për disiplinimin e ndërtimeve dhe për planifikimin e zhvillimit urban”, shpjegoi Ahmetaj.

Por, sipas Ahmetajt, “Shqipëria nuk ka humbur vende në raport me vetveten”.

“Kemi hartuar një paketë të mirë ligjore që rezultatet e së cilës do i shohim vitin e ardhshëm”, shtoi Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA