Rama fton investitorët kinezë: Shqipëria ofron mundësi

27/10/2015 12:55

Kryeministri Edi Rama e ka nisur vizitën treditore në Hong-Kong me pjesëmarrjen në një forum biznesi, ku të pranishëm ishin rreth 100 sipërmarrës nga Hong-Kongu dhe Kina, të interesuar për të investuar në Shqipëri dhe për të rritur shkëmbimet me vendin tonë.

“Aktiviteti i sotëm na ofron platformën për të diskutuar për investime aktuale dhe të ardhshme në vendin tonë, sepse qeveria jonë ka për qëllim të zgjerojë axhendën e investimeve të brendshme, duke u angazhuar në biznese dhe komunitetet e investimeve të Hong-Kongut dhe Kinës”, tha Rama.

Qeveria shqiptare, shtoi kryeministri, është angazhuar që të riformësojë modelin e zhvillimit ekonomik, bazuar drejt burimeve të vërteta të zhvillimit, duke filluar nga nafta dhe mineralet, energjia, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria.

Të investosh në Shqipëri nuk do të thotë thjesht të investosh në Shqipëri, por të investosh në një treg shumë më të gjerë dhe të kesh potenciale më të mëdha zgjerimi në një zonë që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor. Deri para pak vitesh ishte e pamundur ta imagjinoje këtë zonë si një treg të përbashkët, por sot ajo është në fakt një treg i përbashkët. Për sa i përket taksave dhe kostos së punës, ne jemi në një pozicion shumë të favorshëm, por veçanërisht kosto e punës tek ne deri tani është shumë e ulët. Dua, gjithashtu, të ndaj me ju, një shifër shumë inkurajuese rritjeje. U kthyem drejt një trendi sistematik rritjeje. Vjet arritëm 2.1%. Në fund të vitit synojmë të arrijmë 2.7 – 3%, që sigurisht nuk është e mjaftueshme për ekonominë tonë, por është shumë inkurajuese nëse e shohim si pjesë të një trendi ose si pjesë e një projeksioni që mendohet se do të konsolidohet në vitet e ardhshme”, deklaroi kryeministri.

“Qëllimi kryesor i yni, deklaroi kryeministri Rama, është që ta bëjmë Shqipërinë shumë tërheqëse edhe për vizitorët nga Kina, për të krijuar një treg turistik për vizitorët nga Kina.

“Jam i sigurtë që njerëzit që janë pjesë e kësaj industrie dhe që kanë investuar jashtë shtetit do e shikonin Shqipërinë si shumë tërheqëse nga kjo pikëpamje dhe investimet do ishin me shumë leverdi për vitet që do vijnë, sepse ato do të krijojnë padyshim mundësi shumë të rëndësishme për pushuesit nga Kina dhe Hong-Kongu”, u shpreh kreu i qeverisë.

Top Channel