Ish-ministri i Financave, Arben Malaj thotë se Qeveria duhet ta çlirojë biznesin nga kostot, sipas tij, abuzive të skanimit në dogana duke lënë vetëm tarifën e justifikuar të shërbimit.
“Në pamundësi për ta ndryshuar koncesionin, për ta mbikëqyrur atë sa më mirë, me një ligj të veçantë, me një ligj të thjeshtë, qeveria të ndajë pjesën që duhet të paguajë biznesi kur i bëhet skanimi, bazuar mbi tarifën e shërbimit dhe pjesa tjetër e pambuluar e koncesionin le të përballohet nga kostot e administratës doganore”, thotë Malaj.
Dikur ministër i Financave, tani zoti Malaj drejton Institutin për Mirëqeverisje. Sipas tij, koncesioni i skanimit, përveçse absurd në formën aktuale ka dhe elementë të paligjshëm.
“Ky koncesion ka një sërë elementësh jologjikë, pasi aplikon pagesa për shërbime të pakryera dhe tatimet nuk duhet ta lejojnë, nuk ka ligj që të detyron të paguash një shërbim që nuk të jepet. Janë gjetur mënyra të çuditshme për të prodhuar para për koncesionarin, të cilat dalin nga biznesi duke e dëmtuar atë”, shton ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
Nga ana tjetër, edhe llogjika mbi të cilën është justifikuar koncesioni, ajo e financimit të sigurisë në kufij, nuk qëndron.
“Elementi i sigurisë si një e mirë publike nuk paguhet nga taksa të veçanta, paguhet nga taksa të përgjithshme. Siç financohet shërbimi i Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, i Shërbimit Sekret, siç financohet dogana në tërësinë e saj, kjo pjesë e parave le t’i jepet koncesionarit nga taksat”, këshillon Malaj.
Koncesioni i skanimit është kundërshtuar që në fillim nga biznesi për shkak të kostove të rënda që vendos mbi ta. Sipas kontratës të hartuar nga qeveria e demokratëve dhe të rinegociuar nga ajo socialiste, biznesi detyrohet të paguajë 22 euro për çdo deklaratë doganore në import apo eksport.
Top Channel