Kosovë, gaz lotsjellës në Kuvend për të tretën herë; seanca shtyhet vazhdimisht

23/10/2015 15:15

Deputetja opozitare e AAK-së, njëkohësisht shefe e grupit parlamentar të këtij subjekti, Donika Kadaj-Bujupi ka hedhur sërish gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës këtë të premte, duke u pamundësuar deputetëve të tjerë praninë në sallën e seancave plenare për të tretën herë gjatë këtyre dy javëve.

Në fillim, deputetët opozitarë hodhën gaz lotsjellës në korridoret e Kuvendit, duke rrezikuar kështu nisjen e seancës plenare, por që në fakt sipas policisë salla e mbledhjeve plenare nuk ishte ndikuar nga gazi lotsjellës, ndaj dhe gjithçka u bë thuajse gati për të nisur seancës rreth orës 16 e 30, një mbledhje që u shty më pas për në orën 20:00, por që sërish nuk ka filluar dhe nga zhvillimet e fundit mendohet se nuk do të mbahet para orës 23:00.

Opozita në Kosovë proteston kundër marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë, prej së cilës Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, si dhe një tjetër marrëveshje që përcakton kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Do të vazhdojmë të rezistojmë derisa këto dy marrëveshje të anulohen”, tha Donika Kadaj-Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, teksa largohej nga salla e seancave plenare pas hedhjes së gazit lotsjellës.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca akuzoi kryetarin Kadri Veseli, se po tensiononte situatën. “Do t’i përdorim të gjitha mjetet dhe seanca nuk do të vazhdojë”, deklaroi ai pas daljes nga salla e Kuvendit. Ndërkaq, Visar Ymeri, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar se veç veprimeve në Kuvend do të kundërshtohet mbajtja e seancës edhe përmes protestave në rrugë.

Kreu i Parlamentit, Kadri Veseli pezulloi procedimin e mëtejshëm të seancës dhe kërkoi fillimisht një orë pushim. Forcat polike në pushtet janë të vendosura për zhvillimin e kësaj seance, të cilën pas vonesave gjata vendosën ta nisnin sërish më 20:00 të mbrëmjes së të premtes, edhe pse opozita këmbëngul se nuk do të lejojë vijimin e saj.

Kjo ishte hera e tretë e hedhjes së gazit lotsjellës në Parlamentin kosovar, ndërsa për herë të dytë që këtë vepër e kryen deputetja Kadaj-Bujupi. Policia mësohet ta ketë thirrur për ta marrë në pyetje, por ajo ka refuzuar të paraqitet para tyre.

Ndërkohë, nga holli i Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm i vendit, ka folur me kritika të ashpra ndaj veprimeve të opozitës. Ai i quajti ato si “neveritëse”, ndërkohë që u shpreh i vendosur, që deputetët të kthehen në Kuvend dhe seanca të vazhdojë sonte, pasi – sipas tij, – deputetët duhet të kryejnë detyrat kushtetuese dhe ligjore.

Sipas opozitës, marrëveshja me Serbinë, që u jep serbëve të Kosovës më shumë fuqi të pushtetit lokal dhe mundësinë e financimit nga Beogradi, përfaqëson një kërcënim ndaj pavarësisë së Republikës më të re të Ballkanit. Qindra protestues opozitarë janë mbledhur jashtë ambienteve të Kuvendit, duke hedhur edhe ata tymuese ndaj policisë, ndërsa forcat speciale të Policisë së Kosovës rrethuan prej pasdites hyrjen në ndërtesën e Kuvendit.

Ndaj kësaj situate kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së shtetit të ri ballkanas, duke thënë se zhvillimet e fundit mund të dëmtojnë ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Një paralajmërim të ngjashëm ka dhënë edhe kreu i misionit të FMN-së në Kosovës, i cili ka paralajmëruar për një ngadalësim të ekonomisë vendase, nëse situata përshkallëzohet.

Edhe pse kaloi mëse 1 orë nga koha që dha për pushim kryetari Veseli, seanca nuk nisi dhe as mbledhja e Kryesisë së thirrur. Top Channel ka mësuar se, arsyeja e shtyrjes ishte mungesa e anëtarit të Kryesisë nga PDK-ja, Xhavit Haliti, dhe anëtarit tjetër nga minoriteti, Slobodan Petroviç. Pa këta dy anëtarë, të cilët kanë qenë jashtë vendit, si dhe me bojkotimin e opozitës, Kryesia nuk kishte kuorum të mbante mbledhje. Xhavit Haliti, nga sa u mësua ishte duke u kthyer nga Tirana ku ishte në një aktivitet parlamentar, për të mbërritur në Kuvend dhe për të mundësuar kuorumin për mbajtjen e Kryesisë. Megjithatë mbledhja e Kryesisë u anulua dhe seanca plenare u tha se do të rifillonte në orën 20:00.

FOTO GALERI
4/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA