Financat, rënie në shtator. 6.9 miliardë lekë më pak se plani

21/10/2015 21:20

Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se mosrealizimi i të ardhurave nga taksat për nëntëmujorin arriti ne 6.9 miliardë, lekë ose gati 58 milionë dollarë më pak se plani i rishikuar.

Sipas shifrave, vetëm në shtator qeveria mblodhi 4.1 miliardë lekë më pak se plani, çka e ka detyruar Ministrinë e Financave të pranojë zyrtarisht se ecuria e të ardhurave për periudhën është poshtë nivelit të pritshëm, pavarësisht nisjes së operacionit anti-informalitet në këtë muaj.

Të dhënat tregojnë se përkeqësimi i fortë në shtator, në pjesën më të madhe ka ardhur nga mosrealizimi i të ardhurave tatimore. I ndarë sipas institucinove, pjesën dërrmuese të mosrealizimeve, rreth 3.5 miliardë lekë, i kanë Doganat, ndërsa Tatimet kanë patur një ecuri më pozitive me vetëm 0.6 miliardë lekë mosrealizim.

Përgjatë muajve të fundit, Ministria e Financave dhe drejtuesit e administratës fiskale kanë deklaruar në publik një rritje rekord në numrin e bizneseve të regjistruara, xhiros fiskale, si dhe kuponëve tatimorë të lëshuar.

Paralaleisht, vetë ministri Shkëlqim Cani njoftoi se vetëm në shtator janë regjistruar mbi 60 mijë punonjës të rinj. Por të dhënat zyrtare tregojnë se rritja e kuponëve dhe shtesat në bizneset e regjistruara apo punonjësit formalë nuk kanë sjellë më shumë të ardhura për buxhetin.

Shifrat tregojnë se tendenca e mosrealizimeve është përkeqësuar ndjeshëm në shtator, ku zëri më problematik mbetet tatimi mbi vlerën e shtuar, taksa që dokumenton qarkullimin e mallrave në ekonomi.

Por, veç të ardhurave, buxheti mbetet i ndrydhur edhe në kahun e shpenzimeve, ku një nga zërat me ecurinë më të dobët është ai i investimeve publike.

Të dhënat tregojnë se për 9-mujorin investimet me fonde publike ishin 5.4 miliardë lekë më të ulëta sesa plani i periudhës. Investimet janë zërat kryesorë të buxhetit që ndikon drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe punësimin.

Përkeqësimi i performancës fiskale në shtator mund të ngrejë pikëptyetje edhe mbi buxhetin e rishikuar. Qeveria e uli planin e të ardhurave me 16.3 miliardë lekë nga buxheti fillestar për shkak të mosrealizimeve në gjysmën e parë të vitit.

Por, të dhënat e fundit kërcënojnë edhe buxhetin e ri, nëse muajt e mbetur nuk raportojnë shifra në rritje nga të ardhurat. Javën tjetër në Tiranë mbërrin misioni i radhës i Fondit Monetar, i cili do të diskutojë me qeverinë marrëveshjen e mbetur pezull që nuk u nënshkrua pikërisht për shkak të ecurisë së taksave.

Mbledhja e taksave u përkeqësua në shtator:
Fakt  30.5 miliardë lekë; rënia 11.8%
Plani 34.6 miliardë lekë

Mosrealizimi i të ardhurave për 9-mujorin:
Plani 285.9 miliardë lekë
Fakt  279 miliardë lekë

Realizimi i investimeve mbetet problematik:
Plani 38.3 miliardë lekë
Fakt  32.9 miliardë lekë

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA